Arsimi shqip në Itali, ishte në qendër të diskutimeve që zhvilluan dy ministrat Pandeli Majko dhe Lindita Nikolla me Kryetarin e Bashkisë së Bolonjës, Virginio Merola dhe zëvendëskryetaren Marinela Pilati.  Ministri Majko kërkoi mbështetjen e autoriteteve rajonale që fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën shqipe.

“Do t’iu ishim shumë mirënjohës nëse do të na ndihmoni në këtë aspekt”

, ishin fjalët e Ministrit, i cili i njohu zyrtarët e lartë me eksperiencat pozitive që kishte hasur në vende të tjera, ku krijohej hapësira e mësimit të shipes gjatë fundjavës. Majko foli për marrëdhënien e veçantë që ka komuniteti shqiptar me Italinë, ku siç tha, nuk ndihet si diasporë.

“Shqiptarët nuk ndihen shumë si diasporë në Itali për shkak të marrëdhënies së veçantë që kanë me këtë shtet. Për këtë arsye, ne kemi ardhur këtu për të nxitur risktrukturim të një komuniteti që nuk është më vetëm i madh por edhe shumë cilësor. Po mendojmë edhe për organizimin e rrjeteve shqiptare të biznesit, sepse besojmë që kjo gjë do të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve”,

u shpreh ministri.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla falenderoi autoritetet e Bolonjës për mikpritjen, që sipas saj tregon edhe njëherë miqësinë e ngushtë mes dy vendeve.

Nikolla u ndal tek projektet e marrëveshjet e përbashkëta me Italinë në fushën e arsimit, të cilat kanë ndihmuar në ringritjen e sistemit arsimor shqiptar në parametra tepër cilësorë. Duke iu referuar projektit “Iliria”, mbi bazë të së cilit italishtja është gjuhë e parë për 30 përqind të studentëve në Shqipëri, ministrja e Arsimit kërkoi bashkëpunimin e autoriteteve rajonale për të mundësuar mësimin e shqipes ne këtë qytet.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që në një Europë multikulturore e shumëgjuhësore edhe fëmijët shqiptarë të kenë mundësinë të studiojnë gjuhën shqipe. Ne do të donim që të ndihmonit më shumë shoqatat shqiptare, që përmes mësuesëve të mirëtrajnuar, të kenë mundesi të ofrojnë mësime cilësore të gjuhës shqipe”

, tha Nikolla.

Nga ana e tyre, kryetari dhe zv.kryetarja e Bashkisë theksuan rëndësinë që krahas përpjekjeve për integrimin e fëmijëvë shqiptarë në Itali, të punohet edhe për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit të vendit të origjinës. Ata u shprehën të gatshëm që të konsiderojnë mundësinë e vënies në dispozicion të hapësirave ku mund të zbatohet ky lloj program për fëmijët e të rinjtë shqiptarë.

/tvklan.al