Gjatë seancës maratonë të diskutimeve të programit qeverisës, një pjesë e ministrave iu pergjigjën akuzave të opozitës duke u përqëndruar te prioritetet për çdonjërin nga dikasteret që ata do të drejtojnë.

Por Fatmir Xhafaj që rikthehet në krye të Ministrisë së Brendshme pas eksperiencës 2 mujore, ka gjetur rastin të japë një përgjigje edhe për akuzat personale në adresë të tij dhe familjarëve.

“Unë jam në politikë prej rreth 20 vjetësh. Jam i gatshëm të për gjithçka bëj e sillem në raport me interesat e vendit tim, me Kushtetutën e me ligjin. Nuk kam ndërmend të merrem me replikë për avazin tuaj të 15 viteve, avaz të cilin e përsërisni sa herë doni të më sulmoni mua”.

Arben Ahmetaj ministri i rikonfirmuar i Finances që tashmë do të përfshijë edhe sektorin e Ekonomisë, shpjegon strategjinë për të rritur ekonominë dhe të ardhurat e vendit.

“Përmes zbatimit të plotë të këtij programi ne synojmë një rritje ekonomike mesatare rreth 4.5% për të arritur në rreth 5.5 e 6 % të prodhimit të brendshëm bruto në fund të mandatit. Jam gati ta debatoj me secilin prej jush nga pozita dhe opozita burimet e rritjes, kalkulimin dhe pse jo hajt ta përmirësojmë, ndoshta ka shumë vend për të përmirësuar”.

Damian Gjiknuri foli për realizmin e projekteve të rëndësishme në infrastruktrurë, financimi i të cilave shihet te partneriteti me privatin.

“Shtrohet pyetje nga do të burojnë paratë? Patjetër skema që kemi zgjedhur, një skemë e qëndrueshme financimi do të jetë pjesërisht e buxhetit të shtetit dhe pjesa tjetër me projektet private, me investime private”.

Debati i qetë në sallën e Kuvendit sipas Blendi Klosit është për shkak se opozita ka pranuar humbjen.

“Qeverisja ka qenë e drejtë. Fushata ka qenë e drejtë, fitorja ka qenë e drejtë dhe e ndershme. Kjo është arsyeja të nderuar kolegë deputetë. Jeni shumë herë më të qetë se e pranoni që keni humbur”.

Pandeli Majko ministri i ri për Disporën, artikulon premtimin kyç të qeverisë Rama në mandatin e dytë, votën e emigrantëve.

“Duke qenë një njohës modest i politikës e di se pasi shqiptarët jashtë vendit do të marrin të drejtën e votës, sytë e politikanëve do të jenë dhe më të vëmendshëm karshi tyre”.

Për arsimin, një tjetër sektor ku në 4 vitet e shkuara Rama është akuzuar për abuzime si nga opozita ashtu dhe ish-aleatët në qeveri LSI, foli ministrja Nikolla.

Tv Klan