Ndërtesat e jashtëligjshme kontribuuan në një prej fatkeqësive më të mëdha nga zjarret në Greqi. Kështu u shpreh Ministri i Mbrojtjes, Panos Kammenos në një prononocim për BBC.

Ai tha se ndërtimet e banorëve në zona pyjore ishte një “krim” që çoi në bllokimin e rrugëve të shpëtimit.

Kammenos u përball me banorët të revoltuar teksa vizitoi zonat e prekura nga zjarret që përfshinë Athinën lindore këtë javë. Të paktën 85 persona kanë humbur jetën dhe ekipet e shpëtimit i druhen faktit se mund të gjejnë viktima të tjera, pasi me dhjetëra rezultojnë të zhdukur.

Shumë prej viktimave gjetën vdekjen pranë shkëmbinjve, teksa flakët u përhapën me shpejtësi, të ndihmuara nga erërat me shpejtësi më shumë se 100 km/h.

Teksa mbërriti në Mati, Kammenos u rrethua nga banorët të cilët e akuzuan për braktisje.

“Latë njerëz të digjen pa arsye, na latë në mëshirë të zotit”,

i tha një banore Ministrit.

Një dëshmitar i tha BBC se kur kishte shkuar për ndihmë në stacionin e zjarrfikëses, punonjësit nuk ishin në dijeni për zjarrin.

Një tjetër banor u ankua se njerëzve iu këshillua që të futeshin në det për t’i shpëtuar flakëve, kur pjesa më e madhe e të moshuarve e kishin të pamundur që mbërrinin në det.

Shumë prej të mbijetuarve u shpëtuan nga deti, por me dhjetëra të tjerë e patën të pamundur të arrinin në kohë në ujë.

Megjithatë, Ministri Kammenos i hodhi poshtë akuzat se qeveria kishte dështuar për të mbrojtur qytetarët e saj. Ai madje akuzoi disa prej banorëve, për të cilët tha se kishin bllokuar rrugët që çonin drejt detit.

“Ky është një krim nga e shkuara

“, tha Kammenos. “

Të gjitha këto prona pjesa më e madhe janë pa licencë dhe e kanë zaptuar bregun pa rregulla”,

shtoi ai më tej.

/tvklan.al