Policia e Shtetit vijon operacionin e koduar “Tempulli” për të vënë në pranga të gjithë personat e dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike, në zonat të ndryshme të vendit, por edhe në afërsi të shkollave. Të dielën Policia e Sarandës ka vënë në pranga një 35 vjeçar.

Uniformat blu gjatë kontrollit fizik i gjetën dhjetëra doza lënde narkotike cannabis, të cilat do i shiste në zona të ndryshme të Sarandës. Hetuesit kanë ushtruar kontroll edhe në banesën e tij ku i kanë sekuestruar 1 armë zjarri kallashnikov, 1 kallëp tritoli, 1 krehër me municion luftarak, një sasi lënde narkotike cannabis dhe një shumë parash të dyshuara të falsifikuara.

Për këtë arrestim ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili ka bërë një bilanc të operacionit  “Tempulli”. Që prej fillim të vitit janë sekuestruar mbi 720 kg kanabis, 10 kg kokainë, 11 kg heroinë, 12 mijë fara kanabis dhe 37 400 fidanë kanabis. Gjatë operacionit i cili u shtri në gjithë vendin janë vënë në pranga qindra persona.

Në reagimin e tij ministri Balla e vë theksin dhe tek shpërndarësit e drogës. Ai thekson se çdo ditë pranë çdo shkolle dhe në mjedise publike, Policia e Shtetit është vigjilente për të ndjekur këmba-këmbës dhe ndaluar shpërndarësit e lëndëve narkotike.

Klan News