Alternativa boshe e Edi Ramës e bazuar vetëm në shpifje dhe trillime nuk mund të përballet me alternativën e zhvillimit dhe integrimit të mazhorancës së djathtë që në vetëm 3 vjet e 8 muaj arriti të ndryshojë Shqipërinë.

Kështu deklaroi ministri i Jashtëm Lulzim Basha në takimet më banorë të komunës Skënderbegas në Elbasan. Sipas kryediplomatit shqiptar i vetmi që nuk ka ndryshuar është Edi Rama dhe modeli i korrupsionit që ai ka instaluar në bashkinë e Tiranës me lejet e ndërtimit, më rrugë që ndërtohen sot e prishen nesër.

Lulzim Basha: “Kjo zgjedhje mes modelit të suksesit të kryeministrit Berisha që e futi Shqipërinë në NATO dhe po e fut në Europë, që do të garantojë lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptar për tek familjarët e tyre në Greqi apo në Itali apo kudo tjetër në Europë pa viza. Ky model do të testohet në 28 qershor dhe përpara ka një model boshi, premtimesh boshe, fjalësh boshe dhe një modeli të dështuar siç e kanë parë sot qytetarët e Tiranës.”

Në këtë takim ministri Basha theksoi gjithashtu se të gjithë nga më të rinjtë e deri tek më të moshuarit janë sot dëshmitarë të zhvillimit të madh që ka pësuar Shqipëria.

Ndërsa shqiptarët që jetojnë jashtë vendit janë krenarë për vendin e tyre. Në Skënderbegas zoti Basha ka rezervuar dhe disa minuta për një ndeshje volejbolli me të rinjtë e kësaj zone./tvklan.al