Pasi lajmëroi shkarkimin e 20 punonjësve nga shërbimi diplomatik, ministri i Jashtëm në detyrë për “reformimin” e këtij dikasteri ka vendosur të ndërmarrë një hap që ndalon përdorimin e targave diplomatike nga konsujt e nderit.

Shqipëria ka 48 konsuj nderi, por vetëm 38 prej tyre, sipas ministrit, abuzojnë me privilegje që nuk i parashikon ligji.

“Shqipëria është e nderuar t’i ketë këta Konsuj Nderi. Ky privilegj special unikal në Europë është i pajustifikueshëm, prandaj ai duhet të marrë fund. Zyra e protokollit do të fillojë menjëherë me kontaktimin e tyre dhe janë të detyruar të dorëzojnë targat diplomatike dhe të pajisen me shenjën ovale.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Transporteve do të veprohet në eficencë të plotë për të marrë masat që targat në fjalë të dalin jashtë funksionit. Kjo masë nuk ndërlidhet me emra të veçantë, por vjen nga domosdoshmëria e respektimit të ligjit”.

Cakaj thotë se hapi i radhës që do të ndërmarrë është rishikimi i pasaportave diplomatike të cilat sipas tij janë lëshuar pa kriter.

Tv Klan