Ministri Çuçi mbledh drejtuesit e Policisë së Shtetit: Mos u intimidoni nga asnjë forcë politike



Ministri Çuçi mbledh drejtuesit e Policisë së Shtetit: Mos u intimidoni nga asnjë forcë politike

15:26 19/04/2021

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka zhvilluar sot një takim online me drejtuesit e qendrorë dhe vendorë të Policisë së Shtetit. Në fokus ishte mbarëvajtja e procesit zgjedhor në të gjitha fazat ku uniformat blu kanë një rol dhe detyrë të zbatojnë ligjin dhe godasin elementët kriminalë që do të tentojnë të prishin procesin.

Çuçi ka kërkuar në mënyrë të posaçme nga krerët e Policisë goditjen e fenomeneve që përbëjnë krime elektorale, si dhe që uniformat blu t’i shmangen çdo lloj intimidimi nga subjektet politike apo persona të ndryshëm të lidhur me to.

Dua të përsëris edhe njëherë porosinë. Mos u intimidoni nga asnjë forcë politike. Është shumë e rëndësishme që të jemi më proaktivë në lidhje me parandalimin e fenomeve që përbëjnë krime elektorale. I keni të gjithë instrumentat që keni në dorë për të fiksuar prova dhe për të parandaluar situata të tilla. Do jetë në nderin e policisë nëse arrijmë të parandalojmë dhe arrijmë të fiksojmë prova për të çuar përpara drejtësisë njerëz që do të tentojnë apo do të kryejnë krime elektorale. Kjo është java më intensive për sa i përket tentativave për të kryer krime elektorale, sidomos për procesin e shitblerjes së votave”, tha ministri Çuçi.

Ministri foli edhe për menaxhimin e situatës në rast se do të ketë emigrantë që vijnë nga jashtë vendit për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.

Nuk e di çfarë vendimi do të marrë Komiteti i Ekspertëve, por duhet t’i përgjigjemi çdo vendimi në lidhje me pandeminë. Nëse do të hapen fare kufijtë, do duhet të rrisim sigurinë në pikat kufitare që mos të shfrytëzohen nga elementë kriminalë. Në rast se do të ketë kufizim të lëvizjes për shkak të pandemisë dhe për të ruajtur numrat që kemi dhe përmirësimin e situatës epidemiologjike, duhet të merren masat që të zbatohen vendimet e Komitetit. Më duket nesër duhet të mblidhet Komiteti i Ekspertëve dhe me të marrë një vendim, ne duhet të kemi një plan masash që t’i përgjigjemi çdo lloj vendimi. Kjo është shumë e rëndësishme. Bashkë me FRONTEX duhet ta shtojmë sigurinë për kalimet e paligjshme në ato korridore që janë mundësi për penetrimin e trafiqeve”, tha ministri Çuçi.

Për sa i përket procesit të numërimit, kreu i Ministrisë së Brendshme konsideroi si lajm të mirë faktin që numërimi do të bëhet në dy faza./tvklan.al







Të ngjashme