Në Konferencën për “Sigurinë Kibernetike”, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi solli në vëmendje sulmet iraniane ndaj sistemeve të Policisë së Shtetit pak muaj më parë, për të cilat tha se ngriti alarmin tek autoritetet shtetërore.

Në fjalën e tij, Çuçi theksoi se Policia e Shtetit përballet me dy fenomene; nga njëra anë është vetë target i sulmeve ndaj sistemeve të saj dhe nga ana tjetër heton krimet e kësaj fushe.

“Problem më akut është dhe do vijojë të jetë gjatë siguria e informacionit dhe mbrojtja nga sulmet kibernetike. Siguria vjen e para. Ky është çmimi që ne duhet të paguajmë për sfidën e vazhdueshme me modernitetin, sfidë me të cilën ne do përballemi gjithmonë e më shumë. Ashtu siç kemi bërë me sistemet tona për t’i kthyer më efiçente, tashmë kemi përgjegjësin e madhe të ngremë gjithë kapacitetet për të garantuar sigurinë e të dhënave dhe shërbimet e ofruara. Do ndalesha pak te Policia e Shtetit, e cila është e përfshirë në këtë sfidë me modernitetin në mënyrë të dyfishtë. Nga njëra anë si agjenci themelore për sigurinë kombëtare, policia nuk është vetëm target i sulmeve në sistemin e saj të ruajtjes apo sulmeve ndaj shërbimeve që ofron vetë policia, por nga ana tjetër ajo ka pëgjegjësinë ligjore për të hetuar krime të kësaj natyre. Dhe për t’u shërbyer sa më mirë qytetarëve, ne punojmë që Policia e Shtetit të modernizohet përmes adaptimit të teknlogjisë dhe sistemeve inovative”.

Sulmi kibernetik ndaj sistemeve të policisë ishte një mësim i mirë, thotë ministri i Brendshëm, duke bërë që të shtojnë buxhetin për Policinë e Shtetit me 7.6 herë më shumë se ai i vitit 2022.

“Pas sulmit kibernetik në sistemet e Policisë së Shtetit, na u desh që të nxirrnim një mësim të mirë për t’u fokusuar gjithnjë e më shumë tek mbrojtja e sistemeve tona. Për t’i bërë të padepërtueshme këto sisteme në vtin 2023 kemi reaguar duke e shtuar buxhetin e Policisë së Shtetit për zërin investime në teknologji dhe mbrojtja kibernetike me 7.6 herë më shumë se viti paraardhës. Sulmi që na ndodhi pati edhe anën e vetë të mirë sepse ngriti alertin si kurrë më parë tek ne për t’u përqëndruar në garantimin e infrastrukturës dixhitale. Ky ishte alarmi edhe për një strategji të re me burime njerëzore shumë më të kualifikuara. Sulmet mbi infrastruktrën kritike janë kosto e jashtëzakonshme për qeveritë kudo në botë. Për të krijuar një ekosistem të sigurisë na duhet të investojmë në mënyrë të qëndrueshme. Rezultatet do të duken jo menjëherë”, theksoi ministri i Brendshëm Bledi Çuçi. /tvklan.al