Pasi vendi të ketë kaluar kulmin e infektimeve qeveria mund të shqyrtojë heqjen e kufizimeve

Rastet ditore me Covid-19 në Gjermani mund të shkojnë deri në 400 mijë. Alarmi është lëshuar nga ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, i cili foli rreth përhapjes së lartë të variantit të Omicron në vend.

Por ministri tha se pavarësisht kësaj rritje do të ketë një ulje të rasteve me Covid-19 në fund të Shkurtit. Vetëm kur vendi të ketë kaluar kulmin e infektimeve qeveria gjermane do të konsiderojë heqjen e disa prej kufizimeve. Teksa dha këto parashikime Lauterbach nënvizoi se mbrojtja e moshës së tretë të cilët ende nuk janë të imunizuar mbetet detyra më e rëndësishme për t’u bërë.

Ministri njoftoi edhe një ndryshim të fundit ndaj rregullave anti-covid. Koha që një person të konsiderohet imun pas infektimit me Covid-19 do të shkurtohet . Që nga 15 Janari, ky status për këta individë do të skadojë pas tre muajsh nga 6 muaj që është aktualisht  dhe do t’u nevojitet të vaksinohen.

Autoritetet gjermane sqaruan se gjendja në qendrat e emergjencës dhe njësitë e kujdesit intensiv mbetet e qëndrueshme.

Klan News