Presidentët bullgar e maqedonas flasin për rindërtimin e besimit

Nga Shkupi, Ministri gjerman për Europën, Michael Roth ka shkruajtur në Twitter se është koha e duhur për BE-në për të mbajtur premtimet dhe për të filluar bisedimet e pranimit me Maqedonisë e Veriut dhe Shqipërinë.

Sipas tij e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është familja evropiane ndaj duhet vepruar me vendosmëri tani në mënyrë që të mos ketë dyshim për ketë.

Ndërkaq Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe homologun e tij bullgar Rumen Radev kanë befasuar opinionin publik në të dy shtetet duke udhëtuar se bashku në të njëjtin avion drejt Vatikanit. Gjatë konferencës për shtyp në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit, dy presidentët kanë deklaruar se mosmarrëveshjet mes dy vendeve do të zgjidhen me dialog dhe se RMV-së do t’i hapet rruga për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Për Presidentin bullgar fakti se udhëtuan se bashku paraqet një rast të shkëlqyeshëm që me vullnet të gjenë zgjidhje në frymën e fqinjësisë së mirë.

“Bisedimet mes dy vendeve tona i udhëheqin qeveritë, kuptohet ne jemi këtu, për ta relaksuar atmosferën dhe të flasim për këtë problem që ekziston mes vendeve tona”, tha Stevo Pendarovski, president i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas tij është e nevojshme të bëhet rindërtimi i besimit për çështjet më të vështira. Ndërkaq diskutime në Shkup ka zhvilluar edhe ministri gjerman për Europën Michael Roth duke shprehur bindjen se Shkupi e Sofja do të gjejnë marrëveshje që në fund të Qershorit të ketë një vendim pozitiv për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Klan News