Mesazh të qartë për opozitën se dhuna është e papranueshme ka dhënë ministri gjerman i Shtetit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Jashtme Federale, Michael Roth pas takimit që pati në Berlin me ministri në detyrë Gent Cakaj. Zyrtari gjerman theksoi se respektimi i institucioneve demokratike dhe kushtetuese është themelor për integrimin e vendit.

Shumë i shqetësuar nga dhuna gjatë protestës së fundit të opozitës. Mesazhi i drejtpërdrejtë për opozitën: Dhuna absolutisht e papranueshme! Ndërkohë ne vijojmë të mbështesim me gjithë zemër perspektivën europiane të Shqipërisë. Duhet të mbajmë premtimet tona”.

Kundër dhunës u deklaruan një ditë më parë edhe selitë diplomatike të disa vendeve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa grupimet e  CDU/CSU kërkuan nga  të dyja palët të kontribuojnë për ç’tensionimin e situatës, duke u shprehur të gatshëm për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për kapërcimin e krizës.

Sa i takon çështjes së negociatave Roth vlerësoi ritmin e reformave dhe inkurajoi autoritetet shqiptare të vijojnë me punën e mirë që është bërë. Ai tha se Shqipëria ka avancuar shumë në rrugën e integrimit dhe meriton dritën jeshile, pasi kjo është e një rëndësie strategjike për Ballkanin perëndimor dhe Procesin e Berlinit.

Tv Klan