Ministri i Jashtë hungarez, Péter Szijjártó, foli për dialogun Kosovë-Serbi, çështjen e liberalizimit të vizave, por edhe për kërkesën për azil politik në Hungari të ish-kryeministrit të Maqedonisë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, Péter Szijjártó, tha se kërkesa për azil politik në Hungari e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, do të shqyrtohet nga autoritetet përkatëse dhe kjo kërkesë do të trajtohet si një çështje ligjore dhe jo politike. Këtë deklaratë diplomati hungarez e bëri në Prishtinë, gjatë një vizite që po zhvillon  në Kosovë, ku takoi udhëheqësit më të lartë të institucioneve.

“Ne do ta shikojmë këtë çështje në aspektin ligjor dhe jo atë politik. Autoritetet tona relevante, autoritetet e imigrimit do t’i kryejnë procedurat bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe do të shohim rezultatet”

, tha Péter Szijjártó. Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski është larguar të martën nga Maqedonia drejt Hungarisë, ku ka njoftuar se ka kërkuar azil politik. Nga autoritetet e Maqedonisë ai është dënuar me dy vjet burgim për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Péter Szijjártó, në Prishtinë foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai tha se “Bashkimi Evropian po tregohet i padrejtë ndaj Kosovës sa i përket çështjes së vizave”.

“Politika jonë për t’ju mbështetur në integrimin në BE dhe organizata të tjera nuk ka ndryshuar. Hungaria do të mbetet përkrahëse e përkushtuar e liberalizimit të vizave për Kosovën. Është e padrejtë se si sillet BE-ja ndaj Kosovës sa i përket vizave. Sepse Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat. Hungaria është përkrahëse e palëkundur për vizat, dhe në Këshillin e Ministrave të BE-së do të votojë

– për”, tha Péter Szijjártó.

Diplomati hungarez foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke e mbështetur arritjen e një marrëveshje.

“Ne jemi përkrahës të plotë për ju që të jeni të suksesshëm në çështjen e dialogut me Serbinë. Ne ndodhemi afër Ballkanit Perëndimor dhe e kuptojmë çka do të thotë të ketë paqe dhe stabilitet. Shpresojmë që do të jeni të suksesshëm në ketë çështje

“, tha diplomati hungarez, pas një takimi që zhvilloi me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ky i fundit vazhdon të këmbëngulë për një marrëveshje me Serbinë, ligjërisht të obligueshme për të dyja palët.

“Është krijuar një momentum i ri dhe një pajtim global që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes”,

u shpreh shkurt Presidenti Thaçi.

E kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj thotë se “me Serbinë është koha të zgjidhen çështjet e hapura, nëpërmjet bisedimeve, të cilat duhet të kenë një qëllim: njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia”.

“Jam për të negociuar këtë njohje me Serbinë sikurse negociojnë shtetet sovrane por me paprekshmëri të asaj që kemi krijuar. Nëse fillojmë të hapim veten në atë që kemi krijuar është rrezik, jo vetëm për ne po edhe për atë që kemi mbërritur, por mund të jetë rrezik edhe më gjerë dhe mund të na nxjerrë një situatë të pavolitshme si ven

d”, tha sot Ramush Haradinaj, gatë një ligjërate në Universitetin e Prishtinës.

Dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në fazën finale me ndërmjetësimin e BE-së, por palët duket se akoma nuk janë në gjendje të arrijnë një marrëveshje finale. Mediat në Prishtinë shkruajnë që prilli i vitit të ardhshëm do të jetë koha kur Prishtina dhe Beogradi pritet të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje, por kjo nuk është konfirmuar akoma nga asnjëra qendër Prishtina e as Beogradi./DW