Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, humb betejën e parë në Parlament me propozimet e tij. Mania e ministrit ish-gjeneral ushtrie, për t’u bazuar dhe gjetur zgjidhje tek efektivët e ushtrisë ka gjetur murin e parë tek Komisioni i Sigurisë, ku vetë deputetët e partisë që emëroi Lleshajn si ministër hodhën poshtë disa nene në projekt-ligjin e propozuar nga vetë Lleshaj që u hapte rrugë ushtarakëve të futeshin në radhët e policisë.

Deputetët e majtë votuan pro, që në radhët e policisë të pranohen ushtarakë, por në vende të veçanta që i mungojnë Policisë ss Shtetit, ndryshe nga propozimi që i hapte rrugë çdo ushtaraku të bëhej pjesë e uniformave blu. Po kështu u rrëzuan edhe nenet që në kriteret për emërimin e drejtorit të përgjithshëm dhe zv.drejtorit u hapej rrugë edhe ushtarakëve apo përfaqësuesve të tjerë në institucionet e sigurisë. U rrëzua nga deputetët e majtë edhe propozimi i ministrit për të përjashtuar efektivët që nuk marrin certifikatë sigurie.

Është ministri aktual i Brendshëm Lleshaj ai që në rolin e këshilltarit për sigurinë të Kryeministrit Rama, i propozoi edhe emërimin e të gjithë prefektëve në rrethe me ish-ushtarakë, por qytetarë të ndryshëm janë ankuar për punën e tyre, pasi ndryshe nga më parë prefektët ish-ushtarakë janë më pak eficente.

Tv Klan