Ministri i Financave Angjeli takim në Qytetin Studenti – (5 Dhjetor 2000)



Ministri i Financave Angjeli takim në Qytetin Studenti – (5 Dhjetor 2000)

14:08 05/12/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Ministri i Financave Anastas Angjeli është takuar sot paradite me përfaqësues të drejtorisë së Qytetit Studenti për t’u njohur nga afër me problemet e studentëve që jetojnë këtu. Për 5500 banorët e 25 godinave të këtij qyteti, problemet duket se nuk kanë asnjëherë fund. Vetë drejtori i qytetit i ka paraqitur Ministrit të Financave Angjeli, një listë të gjatë për shtesë fondesh të cilat rregullojnë disi kushtet e studentëve.

Kështu një fond më vetë prej rreth 15 milion lekësh të reja duhen për të restauruar bibliotekën e cila tani për tani, nuk plotëson asnjë nevojë për studim. Kërkesa tjetër ishte për një subvencionim nga qeveria për një vit për drita e ujë, pasi deri tani drejtoria e këtij qyteti, rezulton debitore me 19 milion lekë të reja. Ndërsa problemin e argëtimit për kohën e lirë, mesa duket u zgjidh për studentët.

Ministri Angjeli premtoi se shumë shpejt do t’i kërkojë qeverisë, që të miratojë fondin e duhur. Sipas specialistëve duhen 1.5 milion lekë të reja që në një ambient të ri të këtij qyteti të ngrihet një qendër interneti, si edhe një sallë lojrash, e cila do të shërbejë për argëtimin e studentëve./tvklan.al




Të ngjashme