“Të mos vonohet Gjykata Kushtetuese dhe Reforma Zgjedhore”

Gjermania e sheh pozitivisht idenë e shengenit Ballkanik të ideuar në takimet e Novi Sadit dhe Ohrit. Ministri i Jashtëm gjerman Haiko Maas thotë në një intervistë për Deutsche Welle se bashkëpunimi rajonal e ndihmon procesin e anëtarësimit në BE.

“Përmirësimi i bashkëpunimit rajonal plotëson procesin e pranimit në BE. Forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimi ekonomik janë në favor të secilit prej 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ato e bëjnë Ballkanin Perëndimor në përgjithësi më interesant”.

I pyetur për situatën, kur BE duket e përçarë dhe Shtetet e Bashkuara po shtojnë prezencën në rajon, Mas këmbëngul se unioni është mbështetësi më i madh i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai kërkon rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Brukselit për një marrëveshje që nuk ndryshon kufijtë.

“Sa i përket idesë së këmbimit të territoreve ose ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, ne nuk mendojmë se kjo kontribuon për stabilitetin në rajon. Ajo që mbështesim ne është rifiilimi i shpejtë i dialogut të ndërmjetësuar nga BE, duke pasur si synim një marrëveshje të gjithanshme që t’i mundësojë të dy vendeve afrimin me BE”.

Sa i takon situatës në Shqipëri, kryediplomati gjerman thotë se me rëndësi është çuarja përpara e Reformës në Drejtesi dhe asaj Zgjedhore që janë kushtet kryesore të Bundestagut. 

“E rëndësishme është që tani të gjithë të kontribuojnë që Gjykata Kushtetuese të fillojë pa u vonuar punën. Edhe reformimi i ligjit të zgjedhjeve do të diskutohet me të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile. Ne jemi të sigurt, se për reformat që kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE/ODIHR mund arrihet marrëveshje pa humbur kohë. Parlamenti është vendi ku zhvillohen konfrontimet politike. Tani duhen propozime konstruktive dhe bashkëpunime serioze në interes të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”.

Sa i takon qëndrimit të Francës kundër zgjerimit, ministri i Jashtëm gjerman thotë se çështja do të diskutohet sërish javën e ardhshme.

Ai shton se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të tregojnë vullnet për çuarjen përpara të reformave të kërkuara duke theksuar se edhe opozita në këto vende ka përgjegjësinë e saj.

Tv Klan