Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Kur kemi biseduar rreth temave konkretisht, e di se për qytetarët e Kosovës janë të gjitha të rëndësishme, veçanërisht me rëndësi është liberalizimi i vizave. I kam shprehur presidentes edhe një herë që qëndrimi i Qeverisë së Gjermanisë është shumë i qartë që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim e vizave, duhet të jepet”.

“Sepse kjo nuk është vetëm një çështje e përmbushjes së kritereve, por edhe e asaj që BE-ja t’i përmbahet premtimit të cilin e ka dhënë. Ne, gjatë presidencës sonë e kemi vënë këtë çështje në krye të agjendës gjatë presidencës sonë të BE-së. Ne do të angazhohemi që sa më shpejtë liberalizimi i vizave për Kosovën të bëhet”.

Ai në një konferencë për media, pas takimit që pati sot me presidenten Vjosa Osmani, ka deklaruar se janë duke u angazhuar edhe për njohjen e patentë-shoferëve të Kosovës në Gjermani.

“Ne jemi duke u angazhuar edhe për çështje tjera siç janë edhe njohja e patentë-shoferëve. Ne duhet të njoftojmë se jemi para një zgjidhjeje. Në një kohë të parashikueshme mund të gjejmë një zgjidhje për këtë gjë, e cila na ka preokupuar për një kohë”./klankosova