Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, do të zhvillojë nesër vizitë në Kosovë. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Jashtme e Greqisë. Dendias do të shoqërohet në këtë vizitë nga zëvendësi i tij.

Gjatë vizitës në Prishtinë, ministri grek Dendias do të takohet me Kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti, kryeparlamentare Vjosa Osmani dhe ministren e Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme të Greqisë, bisedimet mes dy palëve do të fokusohen në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, në dialogun Kosovë-Serbi dhe për bashkëpunimin në fushën e energjisë.

Kujtojmë se Greqia është një nga 5 vendet e Bashkimit Europian që nuk e njeh ende Pavarësinë e Kosovës, por njeh pasaportën e këtij shteti. /tvklan.al