Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Vendet e Europës Juglindore, mblidhen në Zagreb për të nxitur integrimin e plotë në Bashkimin Europian. Shqipëria do të përfaqësohet në këtë samit me Presidentin Rexhep Mejdani, Kryeministrin Meta dhe Ministrin e Jashtëm Paskal Milo. Kryediplomati Milo u shpreh, se në deklaratën e samitit të Kroacisë, do të ketë një vlerësim pozitiv për reformat në Shqipëri.

Në Zagreb do të zyrtarizohet ngritja e grupit të nivelit të lartë, që do të monitorojë plotësimin e kushteve të vëna nga BE. Ndërsa përpara fundit të gjashtë mujorit të ardhshëm, ky grup do të paraqes raportin përfundimtar për Shqipërinë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE.

Paskal Milo, Ministri i Jashtëm:- “Për Shqipërinë aty do të ketë një vlerësim pozitiv, për progresin që ka bërë Shqipëria në fushën e reformave, në të njëjtën kohë do të inkurajohet qeveria shqiptare, që të vazhdojë më tej këto përpjekje, në zhvillimin e mëtejshëm të reformave brenda vendit. Aty do të krijohet një grup i nivelit të lartë, i cili do të monitorojë gjatë muajve të ardhshëm procesin e reformave në Shqipëri”.

Kryekomisioneri për politikën e jashtme Sabri Godo është pesimist për realizimin e Marrëveshjes së Asocimit përpara muajit Qershor.

Sabri Godo:- “Mua ma merr mendja se kjo marrëveshje mund të bëhet pas zgjedhjeve ne vend. Shqipëria me këtë rast do të jetë në një provë tjetër, që do të jepte një përgjigje pozitive ose negative, varet se si do të zhvillohen gjërat”.

Përsa i përket Serbisë, zyrtarët e lartë shqiptarë, nuk përjashtojnë kontaktet në planin rajonal, ndërsa për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, duhet që Serbia të lirojë të burgosurit politik dhe të kërkojë falje për krimet e luftës. Pritet që në samitin e Zagrebit të marrë formë konkrete paketa e ndihmës me vlerë të përgjithshme prej 4.6 miliard euro, që BE u ka premtuar vendeve ballkanike, e cila do të jepet pjesë-pjesë deri në vitin 2006./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame