Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka qenë sot në zonat e përmbytura në Durrës bashkë me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako. Peleshi takoi disa banorë që janë prekur nga prurjet e shiut dhe tha Forcat e Armatosura janë në terren.

Po ashtu ai tha se duhet nxjerrim mësime nga këto përmbytje me qëllim që reshjet e dendura dhe dalja nga shtrati i lumit Erzen të kenë sa më pak pasoja.

Jemi të pajisur, kemi mjete kalueshmërie të lartë, kemi mjete të vogla lundruese, gjeneratorë dhe gjithçka tjetër që nevojitet, forca njerëzore, forcat e ushtrisë. Duhet thënë që kur ka raste të tilla duhet të nxjerrim dhe mësime. Emergjenca kërkon një reagim multiinstitucional dhe të gjithë shoqërisë. Ajo që shohim këtu fillon origjinën nga zënia dhe bllokimi i kanaleve, shkarkimeve nga dinamika informale e ndërtimeve në vite të cilës tani nuk i kthehemi më dot pas.

Madje e kemi përballur me shumë guxim me legalizime, këtu procesi legalizimeve ka ecur mirë ama bashkë me legalizimin duhet të kemi vëmendje ndaj urbanizimit. Ne marrim detyra tona, komuniteti duhet të marrë detyrat e veta, kemi patur edhe debate me disa banorë, nuk mund t’i kërkojmë llogari bashkisë kur kanali shkarkues e bllokon për të bërë një copë rrugë”, u shpreh ai.

Gjatë ditëve të fundit, Forcat e Armatosura kanë evakuuar disa familje në Katundin e Ri, një pjesë prej të cilave janë strehuar në Konvaleshencën e Durrësit. Në Shkodër vijon prej 3 javësh transporti i banorëve të Obotit, ndërkohë që ditën e djeshme janë evakuuar edhe disa krerë bagëti./tvklan.al