Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Ministri i Punëve Publike Spartak Poçi, në një inspektim që ka bërë në qytetin e Durrësit është njohur nga afër me problemet që lidhen më furnizimin me ujë të pijshëm në këtë qytet. Unë dua projekte konkrete, u shpreh Poçi, për të parë mundësinë e administrimit të tyre për zgjidhjen e problemit. Projektet e investuara nga Banka Botërore, duhet patjetër të zbatohen, që Durrësi të mos ketë më probleme me ujin dhe ujësjellësat.

Gjatë analizës u evidentua edhe problemi i debitorëve me ndërmarrjen e ujësjellësit. Kështu një nga këta subjekte është shtëpia e pushimit e Ministrisë së Rendit, e cila ka dhjetëra milion lekë të reja të papaguara. Por edhe prerja e lidhjeve të paligjshme është një problem më vete.

Ministri Poçi u la si detyrë të menjëhershme ndërmarrjes së ujësjellësit të qytetit të Durrësit, që të ndërhyjnë në prerjet e këtyre lidhjeve. Përsa i takon kodit të ujit, ministri Poçi, premtoi se brenda 15 Dhjetorit do ta paraqesë projektligjin në parlament për miratim./tvklan.al