Ministrat e Jashtëm të NATO-s janë caktuar për të zhvilluar bisedime me vendet për të cilat ata kanë frikë se mund të përballen me destabilizimin mes luftës së Rusisë në Ukrainë.

Aleanca prej 30 anëtarësh do të zhvillojë diskutime me Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Bosnje-Hercegovinën dhe të gjitha vendet për të cilat Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se “po përballen me presion nga Rusia”.

Stoltenberg ka deklaruar se nevojiten hapa të mëtejshëm për të ndihmuar vendet të mbrojnë pavarësinë e tyre “dhe të forcojnë aftësinë e tyre për të mbrojtur veten”.

“Arsyeja pse po e bëjmë këtë mbledhje është një sinjal nga ne se sa e rëndësishme është krijimi i stabilitetit jo vetëm për vendet e NATO-s, por më gjerë,” tha ministri i jashtëm holandez Wopke Hoekstra kur mbërriti për të zhvilluar takimin e ministrave në Bukuresht.

Italia kërkon që Evropa të rrisë praninë e saj në Ballkanin Perëndimor për të kufizuar ndikimin e Rusisë në rajon

Ministri i jashtëm italian Antonio Tajani tha se Evropa duhet të rrisë praninë e saj në Ballkanin Perëndimor për të kufizuar ndikimin e Rusisë.

“Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është i rëndësishëm për paqen. Ne duhet të ndalojmë rusët në Ballkanin Perëndimor, ne kemi nevojë për më shumë Evropë. Ne duhet të mbrojmë të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor dhe afër Ukrainës, sepse është e rëndësishme në këtë moment të punojmë së bashku. Uniteti është i rëndësishëm dhe është një mesazh i fortë për Rusinë”, tha ministri italian Tajani.

BE kërkon të ngrejë gjykatë për krimet e luftës

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen thotë se BE do të përpiqet të krijojë një gjykatë të specializuar për krimet ruse të luftës në Ukrainë, me mbështetjen e OKB-së.

“Ne jemi gati të fillojmë të punojmë me komunitetin ndërkombëtar për të marrë mbështetjen më të gjerë të mundshme ndërkombëtare për këtë gjykatë të specializuar,” tha Von der Leyen.

Ministrat e drejtësisë nga G7 ranë dakord të krijojnë një rrjet për të koordinuar hetimet për krimet e luftës. Kryeministri i Finlandës thotë se vendi duhet të sigurojë më shumë armë dhe mbështetje për Ukrainën për të siguruar që ajo të jetë fitimtare kundër Rusisë.

Ndërsa ministrat e jashtëm u takuan në Bukuresht për të diskutuar më shumë ndihmë për Ukrainën gjatë dimrit. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se aleanca nuk do të tërhiqet në mbështetjen e saj për Kievin ./tvklan.al