Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se vetëdorëzimi i Kelmend Balilit erdhi si rezultat i një operacioni të gjerë të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me partnerët e Shqipërisë.

“Për këdo që njeh sadopak punën operative gjurmuese dhe natyrën e punës për ndalimin e këtyre personave, të këtij karakteri, besoj do jetë e qartë që kurrë nuk do ketë një udhëtim vullnetar të një personi të kriminalizuar drejt policisë. Procesi është rezultat i një operacioni të gjerë dhe të thellë, të ndërlikuar, në bashkëpunim me partnerët e Shqipërisë, që kanë mundësuar që personi në fjalë të vetëdorëzohet në Shqipëri”.

Në një dalje për mediat, teksa konfirmoi arrestimin e Balilit, Lleshaj tha se kjo tregon policinë e së ardhmes dhe luftën pa kompromis ndaj krimit të organizuar e korrupsionit.

“Nga sot drejtësia shqiptare merr njërin prej personave më të kërkuar në Shqipëri dhe përtej saj. Shqiptarët dhe partnerët tanë marrin një mesazh shumë të rëndësishëm për Shqipërinë që duam. Arrestimi i sotëm është një mesazh shumë domethënës për drejtësinë dhe një provë e qartë që policia është në një nivel të ri gatishmërie për t’u përballur në emër të ligjit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Policia e Shtetit ka marrë sot një tjetër rezultat të merituar të një kapërcimi historik në mendësi dhe aftësinë e saj goditëse”.

Lleshaj tha se nuk mund të jepte detaje operacionale, megjithatë i pyetur se çfarë sigurie iu ofrua Balilit që të vetëdorëzohej, Ministri tha:

“Sigurinë e një procesi të drejtë ligjor”.

/

tvklan.al