Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj apelon që qytetarët të dalin për të votuar në zgjedhjet e 30 Qershorit. Në një prononcim për gazetarët pasi votoi, ministri Lleshaj tha se deri tani nuk është shënuar asnjë incident në këto zgjedhje.

Ndërsa bojkotin nga ana e opozitës, Lleshaj e konsideron shqetësues, por kjo është përgjegjësi e vetë partive opozitare që kanë vendosur të mos hyjnë në zgjedhje.

Prononcim i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj:

Një ndër vendimet më të rëndësishme që merr një qytetar, pra për të vendosur për ata që do të qeverisin pushtetin vendor, pas një periudhe shumë të ndërlikuar përgatitjeje, sot mund të them me kënaqësi që zgjedhjet po zhvillohen në të gjithë vendin të lira, të qeta, nën një atmosferë shumë të mirë.

Është e rëndësishme të theksoj dhe t’ju bëj ftesë gjithë qytetarëve që ta shfrytëzojnë mundësinë për të ushtruar përgjegjësinë e tyre qytetare, aq më tepër që jemi në vigjilje të një vendimi shumë të madh për Shqipërinë, pra për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Këto zgjedhje janë po ashtu një kontribut i rëndësishëm në drejtim të dëshmimit të faktit se Shqipëria është një vend, i cili meriton hapjen e negociatave, i cili mund të zhvillojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të drejta.

Gjithashtu ftoj të gjithë qytetarët që përveç pjesëmarrjes, të mundohen për të kontribuar në mbajtjen e këtij mjedisi të qetë dhe të sigurte, në mënyrë që secili të mundë ta ushtrojë të drejtën dhe përgjegjësinë e tij në këtë ditë të rëndësishme.

Në të njëjtën kohë theksoj që forcat e Policisë kanë marrë të gjitha masat për të krijuar mjedis të sigurt për zgjedhjet dhe do të jenë të gatshme, për të vazhduar këtë proces, për ta përmbushur me konsekuencë të lartë këtë përgjegjësi që kanë ndaj qytetarëve shqiptarë.

Pyetje: Zoti Ministër, si është ecuria deri në këto momente, ka pasur diçka problematike?

Ministri Lleshaj: Ecuria e zgjedhjeve deri këto momente është shumë e mirë, në të gjithë Shqipërinë po zhvillohen zgjedhjet ashtu siç pritet.

Pyetje: Zoti ministër, a ju shqetëson fakti që nuk merr pjesë opozita në zgjedhje?

Ministri Lleshaj: Sigurisht që na shqetëson fakti që opozita nuk merr pjesë në zgjedhje, por ama opozita i ka pasur të gjitha mundësitë për të marrë pjesë në zgjedhje. E rëndësishme është liria për të zgjedhur dhe kjo është e garantuar tashmë.

Pyetje: Zoti Ministër, në më shumë se 30 bashki qytetarët nuk kanë të drejtë të zgjedhin, pasi kanë vetëm një kandidat?

Ministri Lleshaj: Qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin ata që janë paraqitur në zgjedhje. Qytetarët vijnë për të gjykuar ata që janë paraqitur në zgjedhje, ata që i janë shmangur gjykimit të qytetarëve është përgjegjësi e tyre, jo e qytetarëve, as e jona. Faleminderit! /tvklan.al