Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Zëvendës ministri i parë i Punëve të Jashtme të federatës ruse, zoti Aleksandër Avdejev, u prit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, nga ministri Paskal Milo dhe nga zv/ministri i Jashtëm Pëllumb Xhufi. Dy ishin problemet kryesore që u trajtuan në bisedime, ecuria e marrëdhënieve dypalëshe, Shqipëri-Rusi dhe situata në rajonin e Ballkanit.

Në këtë takim të dy palët vunë në dukje se intensiteti i marrëdhënieve politike, midis Shqipërisë dhe Rusisë, kohët e fundit duhet të jetë një bazë e mirë për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe edhe në fusha të tjera me interes të përbashkët. Në takim u përshëndet bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe shkencës, kryesisht në shkëmbimin e studentëve, si dhe në fushën e shëndetësisë.

Përsa i përket situatës në rajon si pala shqiptare edhe ajo ruse, dënuan regjimin e Millosheviçit, përshëndetën ndryshimet e fundit në Jugosllavi dhe ecurinë e proceseve demokratike në Kosovë./tvklan.al