Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi është takuar këtë të enjte në Pentagon me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes Lloyd J. Austin.

Sekretari Austin vlerësoi marrëdhëniet mes dy shteteve.

“Gjatë 3 dekadave të fundit, marrëdhënia jonë vetëm është thelluar. Forcat tona stërviten bashkë dhe punojnë krah njëri-tjetrit në veprimet e koalicionit. Trupat shqiptare kanë shërbyer krah forcave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan, Kosovë, Irak dhe Letoni. Së fundmi, ne vlerësojmë mbështetjen dhe mikëpritjen e Shqipërisë të Defender Europe 21”, u shpreh Austrin.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes vlerësoi gjithashtu faktin që Shqipëria ka dalë vullnetare për të mikëpritur stërvitjen tjetër të aleancës, Defender Europe 23.

“Po takohemi në një moment kritik për sigurinë e Europës”, theksoi ndër të tjera Sekretari Austin gjatë takimit me ministrin Peleshi.

Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi theksoi se Shqipëria është krenare të jetë pjesë e NATO-s dhe aleate e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kemi qenë shumë aktivë më misione ndërkombëtare, në misionet e NATO, në misionet e OKB-së sepse duam ta meritojmë që të jemi aleatë të aleancës më të madhe dhe më të fuqishme politike”, theksoi ministri Peleshi. /tvklan.al