Ai është një personazh i njohur në politikën shqiptare, i cili ka dhënë kontribut të veçantë në ministrinë që drejton, pikërisht në atë të Turizimit dhe Mjedisit. Bëhet fjalë pikërisht për Blendi Klosin, i cili angazhimin në politikë e ka nisur në moshën 25-vjeçare dhe gjatë këtyre viteve ka pasur disa eksperienca, në poste të rëndësishme.

Sot Ministër i Turizmit dhe Mjedisit ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për karrierën, por edhe familjen. Gjatë emisionit ai tregoi se puna e tij e parë kishte qenë ekspert IT dhe se kishte qenë ftesa e ish-kryeministrit Fatos Nano, ajo që e bëri t’i futej politikës.

“Ka qenë një ftesë e ish-kryeministrit të asaj kohe Fatos Nano që më bëri t’i futem politikës. Ai më ftoi nga departamenti i administratës publike, ku unë isha ekspert IT. Puna ime e parë në Kryeministri ka qenë si Inxhinier i Teknologjisë së Informacionit. Mbaj mend që në ato vite sapo kishin filluar të vinin kompjuterët në Kryeministri dhe puna e parë ka qenë shtrimi i kabujve të rrjetit të kompjuterëve. Më pas kam bërë kurse për formimin e stafit të Kryeministrisë për të shkruar në kompjuter. Kam filluar nga fundi i vitit 1995, në ’97 erdhi Fatos Nano, i cili më ftoi të isha pjesë e stafit të tij. U lidha me të dhe strukturat e Partisë Socialiste”.

“Në fakt e gjithë familja ka qenë e lidhur me politikën. Daja im ka qenë një nga themeluesit e PS në vitin ’90. Si familje i përkasim të majtës dhe erdhi natyrshëm. Ne jemi disa breza që përfaqësojmë zonën e Mallakastrës në Parlament, nuk jam i pari deputet me mbiemrin Klosi, kanë qenë të paktën 4 breza. Është një profesion si gjithë profesionet e tjera, por që është shumë agresiv sepse gjithë kohën je në syrin e publikut dhe duhet të jesh perfekt në raport me opinionin apo votuesit. Nëse inxhinier je gjithë jetën, politikan je për sa kohë votohesh. Është një profesion që kërkon gjithë kohën të jesh korrekt, një gabim social apo një foto që t’i mund të mos jesh në rregull të nxjerr jashtë. Akuza ka, ka edhe përplasje, por është një profesion që merr vendime në të mirë të komunitetit. Nuk besoj që ka politikanë që nuk përpiqen të marrin vendime në të mirë të komunitetit”, tha Klosi./tvklan.al