Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës, ka ndërprerë sot grevën e mësuesve. Kështu kanë deklaruar në një konferencë për shtyp, ministri i Arsimit Et’hem Ruka, kryetari i Federatës së Sindikatave të Arsimit Xhaferr Dobruja, si edhe kryetari i Sindikatave të Pavarura të Arsimit Bajram Kruja.

Në bisedimet midis përfaqësuesve të sindikatave dhe Ministrisë së Arsimit, u ra dakord, që të plotësohen kërkesat që kanë hartuar mësuesit. Me Vendim të Këshillit të Ministrave, janë ngritur pagat për të gjithë mësuesit që kanë mbaruar shkollat profesionale, për specialitetin mësuesi. Në fund të vitit do të jepet një rrogë shtesë për mësuesit e kopshteve dhe të arsimit 8-vjeçar e të mesëm.

Et’hem Ruka, Ministri i Arsimit:- “Tashmë problemi i mësuesve të shkollave pedagogjike është tërësisht i zgjidhur me një vendim që ka kaluar qeveria javën e fundit, gjithashtu mbrëmë është kaluar një vendim i ri, i cili iu lejon të gjithë masës së mësuesve në Shqipëri, që të marrin rrogën e 13”.

Ndërsa për dy kërkesat e tjera të mësuesve që lidhen me një rritje të të gjitha pagave si edhe për statusin e mësuesit u vendos, që brenda muajit Dhjetor, të fillojnë bisedimet./tvklan.al