Propozimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve për të lejuar nxënësit në shkolla ka bërë që Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të dalë në një deklaratë këtë të enjte.

Ministrja Evis Kushi, u shpreh se nxënësit do të mund të kthehen në shkolla që në fillim të javës tjetër, megjithatë ajo shtoi se kjo duhet bërë duke respektuar rregullat e distancës sociale, mbajtjen e maskës dhe higjienës personale.

“Më në fund, procesi mësimor për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar nga klasa 1-12, do të zhvillohet në mjediset fizike të shkollave çdo ditë të javës, ndërkohë që të gjitha institucionet tona arsimore janë gati për këtë skenar që në fillim të javës tjetër duke ruajtur dhe respektuar rregullat e higjienës dhe distancimit fizik sikurse janë përcaktuar qartë nga MSHMS”, tha Kushi.

Këtë deklaratë të Kushit e ka publikuar në faqen e tij edhe kryeministri Edi Rama, i cili gjithashtu apelon që të respektohen rregullat sepse “lufta që po fitojmë ende nuk ka mbaruar”.

Kujtojmë që Komiteti Teknik i Ekspertëve i propozoi Ministrisë së Arsimit që të rikthejë në klasa nxënësit e arsimit parauniversitar.

“Duke parë këtë situatë epidemiologjike Komiteti Teknik i Ekspertëve mendon që t’i propozojë Ministrisë së Arsimit që të kalojë parauniversitarin nga skenari i kombinuar me atë të prezencës në klasë duke ndjekur protokollet higjieno-sanitare. Beteja me Covidin vazhdon”, thanë në një deklaratë ekspertët ditën e enjte./tvklan.al