Ministria e Arsimit sqaron nxënësit për vitin e ri shkollor


Ministria e Arsimit sqaron nxënësit për vitin e ri shkollor

22:20 19/08/2020

Shkolla nis më 14 Shtator, më 31 Gusht për ata që nuk patën mundësi mësimi online

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka sqaruar se viti i ri shkollor nis më 14 Shtator siç është parashikuar dhe jo më 31 Gusht, siç qarkulluan disa lajme ditën e sotme.

Sipas ministrisë, më datë 31 Gusht e deri më 11 Shtator do të zhvillohen mësime plotësuese me nxënës të klasave 1-5, të cilët nuk kanë pasur akses dhe mundësi gjatë periudhës së mësimit online.

“Ky program plotësues i pajis këta nxënës me njohuritë dhe aftësitë gjuhësore dhe matematikore që i përkasin programit mësimor, të zhvilluar në periudhën mars-maj 2020, thuhet në njoftimin e ministrisë së Arsimit”.

Më tej shtohet se janë identifikuar shkollat dhe nxënësit që do të jenë pjesë e këtij programi.

Kryesisht nxënës të cilët u përkasin shtresave vulnerabël, romë, egjiptianë apo të zonave të thella gjeografike. Zbatimi i programit plotësues do të menaxhohet nga drejtoritë dhe zyrat arsimore vendore, si dhe shkollat sipas rasteve të identifikuara”, thuhet në njoftim.

Ministria sqaron se orët mësimore do të zhvillohen sipas të gjitha protokolleve të kushteve higjieno-sanitare, duke ruajtur distancimin fizik dhe mbrojtur shëndetin e gjithsecilit./tvklan.al



Të ngjashme