Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Çmimi i vezës është ulur në treg. Një pjesë e prodhuesve pak ditë më parë, akuzuan kontrabandën për këtë dukuri. Sipas tyre në Shqipëri kanë hyrë vezë të pakontrolluara nga jashtë. Këtë hipotezë, Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit e hedh poshtë. Zëdhënësi Artur Galanxhi thotë: 

Artur Galanxhi, Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë:- “Prodhimi është shtuar dyfish dhe tani Shqipëria nuk importon nga asnjë vend i Komunitetit Europian. Ne jemi gati për të eksportuar rreth 35 milion kokrra vezë”.

Ndërsa shitësit vërejnë se ndonjë maune me vezë kontrabandë mund të ketë hyrë në Elbasan nga Izraeli, por edhe ky është supozim. Tregtarët e tjerë vërejnë se për uljen e çmimit të vezëve në treg ka arsye të tjera. Së pari në këtë stinë ato nuk pëlqehen pasi konsumohen më shumë fruta dhe perime, së dyti prodhuesit e vezëve janë shtuar shumë, për rrjedhim edhe prodhimi.

Konkurrenca ka bërë që pronarët e pularive të mos fitojnë shumë si dikur. Sidoqoftë një gjë është e sigurt, në treg nuk ka vezë të prishura apo të dyshimta, të paktën kështu siguron Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti