Ministrinë e Drejtësisë nisi pasditen e së hënës drejt Gjermanisë dosjen për ekstradimin e Arbër Çekajt, i akuzuari kryesor për narkotrafikimin e 613 kilogramëve kokaine. Dosja kishte mbërritur të premten e kaluar pranë Ministrisë së Drejtësisë, pasi u përpilua nga Prokuroria e Krimeve të Renda. Pjese e dosjes ka qene edhe masa e sigurisë për Çekajn si edhe disa materiale të tjera hetimore. Arbër Çekaj, pronar i “Arbri Garden” u arrestua rreth 10 dite më parë në Dyseldorf të Gjermanisë, pas një operacioni të përbashkët mes policisë gjermane dhe asaj shqiptare. Çekaj pritet të ekstradohet në Shqipëri, ku do të përballet me akuzat trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Ndërkohë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar ndaj Arbër Çekajt masën e sigurisë arrest me burg në mungesë.

613 kg kokainë u kapën në fund të muajit shkurt të fshehura në një konteinier me dysheme të dyfishtë.  Droga u konstatua fillimisht në një ngarkesë me banane dhe u ndoq derisa u mor në dorëzim nga përfaqësuesit e kompanisë së Arbër Çekajt.

Të arrestuar për këtë dosje janë dhe dy punonjës të kompanisë “Arbri Garden” Donaldo Lushaj e Armando Pezaku. /abcnews.al