Ministria e Drejtësisë ka nisur verifikimet për shoqërinë private përmbarimore

“Star”

, të denoncuar nga emisioni “Stop” në Tv Klan më datë 24 Janar.

Në një njoftim për mediat, Ministria sqaron se këtij Përmbarimi privat i është hequr licenca në vitin 2017 për shkelje të rënda ligjore dhe tashmë ushtron funksionet me emrin e ndryshuar

“Shërbimi Përmbarimor FS”.

Pas denoncimit të bërë nga Stop, Ministria e Drejtësisë ka nisur një tjetër hetim ndaj përmbarueses K.Seferi. Po kështu, nga verifikimet e bëra rezulton se personi që shfaqet në videon e denoncuar nga Stop si punonjës i kësaj shoqate përmbarimore, rezulton se nuk është përmbarues i licencuar, duke thelluar kështu skandalin.

“Nisur nga ankesat e qytetarëve në drejtim të veprimeve të shoqërisë “Shërbimi Përmbarimor FS”, Ministria e Drejtësisë ka nisur një tjetër hetim ndaj përmbarueses, K. Seferi, e cila është dhe përmbaruesja që ndiqte procesin e denoncuar në emisionin STOP. Ndërkohë, po nga verifikimet paraprake, rezulton se personi i cili shfaqet në videon e transmetuar në rastin e denoncuar, nuk është përmbarues i licencuar nga Ministria e Drejtësisë, çka përbën një tjetër shkelje flagrante të ligjit”

, thuhet në reagimin e Ministrisë.

Rasti i shoqërisë përmbarimore

“Star”

u denoncua nga emisioni Stop pas ankesave të bëra nga qytetari Erando Muçollari. Ai tha se ky Përmbarues privat i ka bllokuar rrogën për llogari të një banke të nivelit të dytë, pasi rezulton dorëzanë për një kredi, për të cilën thotë se nuk ka aspak dijeni dhe nuk ka firmosur asnjë dokument.

“Stop” u interesua në zyrat e kësaj shoqërie përmbarimore dhe rezultoi se shumë qytetarë të tjerë kanë ankesa për të. Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, shoqëria përmbarimore

“Star”

i zhbllokoi rrogën qytetarit Erando Muçollari pasi u zbulua se firma e hedhur në dokument nuk ishte e tij. Por, kjo çështje duhet të shkojë në gjykatë që të zbardhet tërësisht. Ndërkohë, edhe Ministria e Drejtësisë deklaron se do të hetojë denoncimin e bërë në Stop nga qytetari Erando Muçollari.

https://tvklan.al/dorezane-ne-kredi-pa-qene-ne-dijeni-cudite-nuk-kane-te-sosur-video/

Njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë:

Ministria e Drejtësisë, menjëherë pas denoncimit të bërë në emisionin “STOP”, të datës 24.1.2019, lidhur me veprimet e kryera nga ish – shoqëria përmbarimore “Star”, ka nisur një kontroll të thelluar, me synim nxjerrjen e përgjegjësive ligjore përkatëse.

Nga verifikimet paraprake, rezulton se bëhet fjalë për ish-shoqërinë përmbarimore “Star”, që tashmë ushtron funksionet me emrin e ndryshuar “Shërbimi Përmbarimor FS” sh.p.k..

Ndaj kësaj shoqërie, për shkak të numrit të madh të ankesave të administruara ndaj përmbaruesve të saj, Ministria e Drejtësisë ka ushtruar kontroll bazuar në urdhërin e Ministrit të Drejtësisë nr. 4724, datë 27.07.2017.

Si rezultat i kontrollit të ushtruar janë konstatuar shkelje të rënda ligjore, për të cilat janë marrë edhe masa konkrete disiplinore “heqje të certifikatës së ushtrimit të veprimtarisë përmbarimore” për 3 prej përmbaruesve të kësaj shoqërie. Konkretisht u është hequr licenca përmbaruesve:

A. Daka, me Urdhrin nr. 4724/29, datë 22.12.2017, të Ministrit të Drejtësisë;

A. Tanushi, me Urdhrin nr. 4724/33, datë 22.12.2017, të Ministrit të Drejtësisë;

J. Dervishi, me Urdhrin nr.4724/27, datë 18.12.2017, të Ministrit të Drejtësisë.

Po nga i njëjti kontroll është konstatuar se në veprimet përmbarimore të paligjshme është përfshirë edhe shoqëria tjetër përmbarimore “Shërbimi përmbarimor ZIG” sh.p.k. Bazuar në shkeljet e gjetura është marra masa disiplinore për heqjen e të drejtës së ushtrimit të këtij profesioni edhe për dy përmbarues të kësaj shoqërie e konkretisht:

A. Meskuti, me Urdhrin nr. 4724/8, datë 06.11.2017, të Ministrit të Drejtësisë;

A. Kote, me Urdhrin nr. 4724/25, datë 17.11.2017, të Ministrit të Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë pas këtij inspektimi ka kryer kallëzim penal në Prokurori për veprën penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda” parashikuar në nenin 143 të Kodit Penal dhe të kundërvajtjes penale “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij” parashikuar në nenin 249 të Kodit Penal, kryer nga personi juridik “Shërbimi Përmbarimor ZIG” sh.p.k., Tiranë, përgjegjës i drejtpërdrejtë i veprës penale dhe kundërvajtjes penale, në zbatim të nenit 3/a, b dhe nenit 4, të ligjit nr. 9754, datë 14.6.2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”.

Nisur nga ankesat e qytetarëve në drejtim të veprimeve të shoqërisë “Shërbimi Përmbarimor FS”, Ministria e Drejtësisë ka nisur një tjetër hetim ndaj përmbarueses, K. Seferi, e cila është dhe përmbaruesja që ndiqte procesin e denoncuar në emisionin STOP.

Ndërkohë, po nga verifikimet paraprake, rezulton se personi i cili shfaqet në videon e transmetuar në rastin e denoncuar, nuk është përmbarues i licencuar nga Ministria e Drejtësisë, çka përbën një tjetër shkelje flagrante të ligjit.

Kjo gjë rëndon edhe më tepër pozitën e përmbarueses apo përmbaruesve që kanë patur dijeni për këtë proces përmbarimor, në shkelje të parashikimeve ligjore “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, kryerjen e veprimeve për informimin e palëve për veprimet në procesin e ekzekutimit; duke mos dhënë sqarimet e nevojshme për veprimet e kryera dhe duke cenuar rëndë detyrimin për të ruajtur të dhënat dhe sekretin profesional.

Raste të përmbaruesve të penalizuar me heqje të licencës që ndryshojnë emrin e shoqërisë apo kalojnë nga një shoqëri në një tjetër, për të vijuar të ushtrojnë aktivitetin e tyre do të ndiqen në mënyrë sistematike nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me organet e tjera ligjzbatuese dhe prokurorinë.

Ministria e Drejtësisë gjen rastin t’u bëjë thirrje Dhomave Kombëtare të përmbaruesve, noterëve, avokatëve edhe ndërmjetësve, që të bashkëpunojnë me seriozitet, në ushtrim të përgjegjësive të tyre ligjore për ndëshkimin e çdo rasti të abuzimit me ligjin dhe për verifikimin e pastrimin nga radhët e profesionistëve të ndershëm të të gjithë atyre, të cilët me veprimet e tyre abuzive, nuk meritojnë të ofrojnë shërbim ndaj qytetarëve me licensat e dhëna nga shteti.

Ministria e Drejtësisë fton qytetarët që të paraqesin çdo shqetësim apo problem që ata kanë lidhur me shërbimet në zyrat e profesioneve të lira, duke i siguruar se do t’i ndjekë dhe verifikojë me seriozitet ato, duke vënë përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë shkelësit e ligjit. Gjithashtu, Ministria e Drejtësisë do të marrë të gjitha masat për t’i dhënë një trajtim ligjor rastit të qytetarit E.M denoncuar në emisionin STOP. /

tvklan.al