Balluku: Nuk do të shpëtojë asnjë subjekt nga kontrollet

550 ton karburant të cilat nuk përmbushin parametrat për t’u hedhur në treg janë bllokuar nga Inspektorati Shtetëror Teknik në rafinerinë e përpunimit në Ballsh. Depozita është gjetur gjatë kontrollit që inspektorët ushtruan në rafinerinë vendase, ndërsa subjektit që aktualisht operon në këtë uzinë i është kërkuar që të ripërpunojnë sasinë. Pas analizave të dyta do të vendoset nëse nafta e bllokuar do të shitet apo jo në treg.

 “Sot në rafinerinë e Ballshit kemi bllokuar 550 ton në depozitën G46, e cila nuk mund të hidhet në treg pasi është jashtë të gjitha parametrave për tregtim dhe për këtë arsye i bllokohet subjektit për t’u rikontrolluar dhe ripërpunuar. Ne do t’a rianalizojmë pas ripërpunimit për të arritur në pikën e standardit për tregtim.”

Një javë më parë ministrja e Infrastrukturës paralajmëroi subjektet që të respektojnë ligjin, ndërsa përsëriti dhe njëherë të njëjtën thirrje se nuk do të ketë tolerancë si për të vegjlit dhe për tregtarët e mëdhenj.

 “Nga kjo luftë kundër informalitetit nuk do të shpëtojë asnjë subjekt dhe nuk përbën fare për ne asnjëlloj problematike emri i subjektit sesa i madh apo i vogël është.”

Me ngritjen e laboratorit të ri në Porto Romano, Inspektorati Shtetëror Teknik do të ketë prova shkencore, duke bërë që bizneset të mos gjejnë hapësira ligjore për të zhbllokuar sasitë e lëndëve hidrokarbure që bllokohen.

 “Me modernizimin e laboratorit qendror që kemi, tashmë vendosim në punë dhe autolaboratorët dhe me hapjen e laboratorit të ri në Porto Romano do të kemi prova shkencore. Do të dalim me produkte të certifikuara laboratori dhe kur prodhimi të bllokohet ai nuk ka shanse të dalë më në treg.”

Skemat më të shpeshta të mashtrimit me cilësinë e karburantit që u shitet qytetarëve bëhen duke patur si lëndë të parë naftën që del nga burimet e vendit, të cilat më pas përzihen me mazut dhe solar.

Tv Klan