Këshilli i Ministrave rekomandon që të mos lejohen më propozime për vepra në partneritet publik-privat të cilat do të krijojë kosto të drejtpërdrejta apo të tërthorta për buxhetin e shtetit. Kërcënimet më të mëdha për pagesat që do të duhet të bëjë buxheti nga kompanitë që kanë marrë koncesione, vijnë nga firmat që ofrojnë shërbime në fushën e shëndetësisë.

Në një relacion të hartuar nga Ministria e Financave dhe të dërguar pranë Kryeministrisë, thuhet se projektet e programit “1 miliard” janë të ezauruara, dhe nuk duhet të lejohen më kontrata të ndërtimit të veprave publike me PPP.

Sipas llogarive të Ministrisë së Financave, pagesat që parashikohet të bëjë buxheti i shtetit në vitin 2022 për koncesionet arrijnë në 4.6% të totalit të të ardhurave, duke rrezikuar shkeljen e limitit ligjor prej 5% të të ardhurave.

“Kësaj vlere mund t’i shtohen edhe pagesat për PPP-të ekzistuese dhe të reja siç është ndryshimi i kontratës për rrugën Milot – Morinë, shtesat në koncesionet e shëndetësisë, koncesioni i aeroportit të Vlorës dhe ai i rrugës Kashar – Rrogozhinë, të cilat riskojnë shkeljen e rregullit fiskal”,

thuhet në dokumentin e Financave të siguruar nga Tv Klan.

Për këtë arsye qeveria kërkon të zbatohen projekte PPP, vetëm me modelin që përdoruesi të paguajë për shërbimin dhe të mos implikohet arka e shtetit.

Aktualisht buxheti i duhet të paguajë vetëm gjatë këtij viti 5 milionë Dollarë më shumë se sa ishte planifikuar për koncesionin e sterilizimit dhe 400 mijë të tjera për atë të dializës.

Tv Klan