Partia Demokratike dhe Ministria e Financave u përplasën për projektin e devijimit të Lumit të Lanës, që sipas selisë blu është bërë për të favorizuar ndërtimin e një kompleksi për llogari të biznesmenit Edmond Bego.

Drejtori i Pronës Publike në Ministrinë e Financave, Endri Ducka, në një konferencë për shtyp tha se procesin e kthimit të pronës në këtë zonë ndaj familjes Hamdi Pinari ka nisur në vitin 1995 dhe në 2007-ën ishte Ministri i Ekonomisë Genc Ruli që privatizoi këtë pronë për llogari të kësaj familjeje për magazinë dhe sera, të cilët kishin procesin e parablerjes.

Ducka tha se në muajin Prill 2007 “

Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë, me një shkresë “urgjente” nr. 991/2 me firmë të Sekretarit të Përgjithshëm z. Myqerem Tafaj, i jep miratimin për fillimin e procedurës së privatizimit të objektit “sera dhe magazina” në lagjen e re Tiranë, Ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës z. Genc Ruli. Vetëm 20 ditë më pas, Drejtoria e Privatizimit në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me shkresën nr 2423/1 të firmosur nga Ministri z.Genc Ruli, miraton privatizimin e objektit “sera dhe magazina” në lagjen e re Tiranë.”

Ministria e Financave sqaroi se derdhja e parave për privatizimin e truallit mund të jetë bërë nga çdo kompani apo person, por shuma ka shkuar për llogari të familjes Pinari dhe se ky dikaster nuk ka tagër të hyjë në marrëdhëniet tregtare mes pronarëve dhe kompanive.

Fatura e Bankës konfirmon se në llogarinë e MF është derdhur pagesa në fjalë, në emër të trashëgimtarëve Pinari. Pagesa është kryer për llogari të trashëgimtarëve Pinari, nga një entitet privat me emër “Inerte express” sh.p.k, e cila është procedurë e rregullt bankare qe rregullon një marrëdhënie private mes dy palëve dhe nuk implikon në këtë rast Ministrinë e Financave as e bën përfitues nga kontrata e shitjes, personin i cili ka depozituar paratë në bankë. 

Dua te përsëris dhe njehërë, se pavarësisht se kush ka depozituar shumën në llogarinë e MoF, pagesa është bërë për llogari të personave përfitues të pronës (pra trashëgimtarëve) dhe Ministrisë së Financave dhe kontrata e shitjes është pjesë e kësaj dosje, e cila është lehtësisht e verifikueshme në çdo kohë

”, tha Ducka./tvklan.al