Për shkak të erës së fortë dhe motit të keq, Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje qytetarëve që të shmangin qëndrimet pranë objekteve të larta pasi rrezikohen nga rënia e objekteve.

Në Tiranë janë raportuar disa incidente, ku në zona të ndryshme janë rrëzuar pemë e kanë rënë depozitat nga tarracat e pallateve. Për fat të mirë, nuk ka asnjë person të lënduar përveç dëmeve materiale.

Ministria e Mbrojtjes, përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, nisur nga situata e pazakontë e erës së fortë gjatë orëve të fundit në disa qarqe të vendit, i bën thirrje qytetarëve, të shmangin qëndrimet në afërsi të pallateve, godinave të larta, pemëve dhe objekteve të rrezikshme. Rënia e sendeve dhe objekteve të ndryshme për shkak të erës përherë e më të fortë,  mund  të bëhen shkak për aksidente. Ndërkohë, ministrja Xhaçka përmes AKMC është në komunikim të vazhdueshëm me shtabet e emergjencave në të gjitha prefekturat, për të ndjekur orë pas orë situatën e vështirë të motit të shkaktuar nga erërat dhe bora në disa qarqe.  Sipas informacioneve paraprake të deritanishme situata është nën kontroll dhe nuk raportohen probleme”, thotë Ministria e Mbrojtjes. /tvklan.al