Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Në Ministrinë e Rendit, në një mbledhje që ka zgjatur tre orë është bërë sot analiza e zhvillimeve të fundit në Tropojë. Pas propozimit të bërë nga policia e prefekturës për largimin dhe ndjekje penale për paaftësi dhe implikim të 44 efektivave të komisariatit të Tropojës, sot në krye të komisariatit të qytetit problematik është komanduar Shyqyri Gjasho, zëvendës drejtori i policisë për prefekturën Kukës-Tropojë-Has,

Nga propozimet për shkarkime, për momentin është zyrtarizuar shkarkimi i vetëm 9 efektivëve. Janë pezulluar nga detyra dhe shefi i komisariatit Asgjë Sadria, si dhe shefi i rendit të Tropojës, Ylli Cahani. Ndërkohë për komisariatin e Tropojës pranë drejtorisë së policisë së prefekturës bëhet e ditur se janë 150 kërkesa për t’u emëruar si efektiva policie në Tropojë.

Rreth 100 forca të ndërhyrjes së shpejtë, repartit 711, repartit 712 dhe forcat speciale të Kukësit, janë vendosur në Tropojë dhe vazhdojnë patrullimin në qytet, si dhe kërkimin për 10 personat të cilët kërcënuan me armë forcat speciale në Tropojë para dy ditësh.

Sot në mbledhjen analizë në Ministrinë e Rendit, drejtuar nga ministri i Rendit Poçi dhe zv/ministri Himçi është dhënë urdhri i prerë, që cenuesit dhe kundërshtuesit e policisë në Tropojë, të ndiqen për t’u kapur edhe në zonat malore ku janë strehuar. FNSH vazhdon të qëndrojë në Tropojë, nën drejtimin e drejtorit Niko Brahimi.

Po sot në Gjykatën e Faktit Kukës është dhënë masa e sigurisë, burg pa afat për 9 persona të arrestuar ditët e fundit në Tropojë./tvklan.al