Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Çdo pacient shqiptar për çdo lloj problemi që ka do ta zgjidh brenda vendit me specialist të kualifikuar. Për herë të parë në Ministrinë e Shëndetësisë, hartohet strategjia e sistemit shëndetësor, e viteve 2000-2010. Dhjetë vjet punë dhe detyra që do të orientojnë të gjithë donatorët se ku po shkon Shqipëria dhe se ku jemi në këtë dhjetëvjeçar.

Ky është një orientim i qeverisë Shqiptare për çdo institucion për të hartuar strategjinë e tij afatmesme. Sipas ministrit Solis, kjo strategji do të evropianizojë shëndetësinë shqiptare. Deri më sot Ministria e Shëndetësisë ka vepruar si drejtori, me zbatimin e strategjisë do t’i duhet të mendojë shumë dhe të veprojë pak, do të jap orientime dhe do të ushtrojë kontroll në zbatimin e ligjeve. Ministri Leonard Solis sqaron: 

Leonard Solis, Ministri i Shëndetësisë:- “Meqenëse është një periudhë e qetë dhe ne kemi arritur të grumbullojmë një përvojë të madhe dhe të paraardhësve tanë, mendojmë që erdhi koha që të shikojmë më guxim përpara dhe kjo strategji dhjetëvjeçare, ka integruar pothuajse të gjitha forcat politike, ajkën e shëndetësisë shqiptare dhe mendojmë që kemi bërë një strategji shumë të mirë të ndihmuar edhe nga OBSH, ku përcaktojmë të gjitha rrugët që sistemi shëndetësor shqiptar do të bëjë që shëndetësia shqiptare të marrë një karakter europian”

Katër kapituj duke filluar nga analiza e gjendjes së sistemit shëndetësor, e deri tek veprimet imediate për të caktuar reformën, presin miratimin e qeverisë dhe parlamentit për të nisur zbatimin./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti