Jo vetëm Policia e Shtetit, por edhe uniformat e bardha do të jenë në shërbim të përforcuar në këto ditë festash.

Kur na ndajnë vetëm pak orë nga ndërrimi i viteve, Ministria e Shëndetësisë ka marrë një plan masash për rastet e urgjencave mjekësore duke vendosur njëherazi edhe autoambulanca në sheshet kryesore të vendit nga ora 19:00 e mbrëmjes deri në përfundim të festës. Lajmin e bëri të ditur vetë Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë një takimi që pati me mjekë të urgjencës në Spitalin Universitar të Traumës.

Në kryeqytet përveç 9 autoambulancave sipas planit të riorganizimit të Urgjencës Mjekësore do të ketë edhe dy të tjera në dispozicion të festës të vendosura në Sheshin Skënderbej. Nisur nga rritja e numrit të thirrjeve të urgjencës gjatë ditëve të fundit urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë parashikon edhe ekip shtesë me mjekë dhe infermierë edhe në njësinë e Koordinimit të Urgjencës Mjekësore “on call”.

Tv Klan