Emisioni “Stop” trajtoi këtë të enjte problemin e Bledar Teferiçit, i cili është hequr nga puna. Por pas interesimit të “Stop”, u vunë në lëvizje Ministria e Financave dhe AKPA.

Luneda Lamaj, e ngarkuar me marrëdhëniet publike në AKPA, tha, se është marrë në analizë rasti dhe është dërguar pranë Ministrisë së Financave, me propozimin për rikthimin në punë të Teferiçi.

“Çështja e z.Teferiçi është shqyrtuar. Është marrë në analizë i gjithë dokumentacioni përkatës. Është dërguar pranë Ministrisë së Financave, me propozimin për rikthimin në punë të z.Teferiçi dhe është vendimmarrje, që i përket asaj. Vendi në shkollën e Kavajës është vakant, drejtoresha aktuale është me komandim. Z.Teferiçi  i plotëson kushtet, për t’u rikthyer në këtë vend pune dhe siç ju thashë çështja për më tej nuk është një çështje që i përket AKPA”, tha Lamaj.

Nga ana tjetër, zyrtarja e Ministrisë së Financave thotë, se zoti Teferiçi mund të emërohet pas zgjedhjeve, pasi një vendim i KQZ-së, nuk lejon emërime dhe shkarkime në prag të zgjedhjeve.

Marrëdhëniet me median: Praktika ka ardhur në ministri. Duke qenë se jemi në periudhë fushate, me vendim të KQZ-së, nuk mund të nxirret deri në fund të zgjedhjeve, asnjë vendim emërimi ose shkarkimi.

Gazetari: Është me vendim gjykate.

Marrëdhëniet me median: Direkt mbas zgjedhjeve, javën e parë…Ka ardhur me protokoll.

Gazetari: Pse nuk u emërua para se të fillonte fushata?

Marrëdhëniet me median: Sepse varet, se kur ka ardhur këtu si datë, si procedurë. “Gjatë fushatës zgjedhore, marrja në punë, pushimi nga puna, transferimi, janë të ndaluara”.

Gazetari: “Me përjashtim të rasteve të përligjura.” E kemi rast, jo të përligjur, por super të përligjur.

Marrëdhëniet me median: Teferiçi sikur është Joe Biden.

Gazetari: Joe Biden është për mua ai. Të dish vetëm një gjë: Për mua, Teferiçi është mbreti. Kur them Teferiçi, është qytetari, kupton, siç është çdo qytetar tjetër. Për mua, qytetarët janë të parët.

Nga ana tjetër, Drilona Hoxhaj, zëdhënëse e KQZ-së, shprehet, se në rastet kur ka vendim gjykate, lejohet punësimi gjatë fushatës.

“Neni 91, pika 3  e cila ka folur për punësimet gjatë fushatës zgjedhore është mëse e qartë. Thotë, ndalohet marrja në punë gjatë fushatës zgjedhore, pushimi, ndalimi, transferimi, në detyrë në institucione ende publike etj. Ndër të tjera thotë se konsiderohen raste të përligjura rastet kur lëvizja apo lirimi nga puna vjen si rrjedhojë e shkeljeve sipas legjislacionit ose marrja në punë bëhet brenda strukturës ose organizmit në fuqi gjatë fushatës zgjedhore të institucioneve publike. Gjithsesi në çdo rast vendimet e formave të prera të gjykatave prevalojnë mbi të gjitha. Nëse ka një vendim të formës së prerë që X ose Y duhet të kthehet në punë, patjetër sepse për sa kohë është vendim i prerë i gjykatës, mund të bëhet edhe rikthimi në detyrë”, tha Hoxhaj./tvklan.al