Ministrja: 68 të lënduar nga tërmeti

Ministrja: 68 të lënduar nga tërmeti

20:48 21/09/2019

108 banesa dhe 7 pallate të dëmtuara

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në një dalje për mediat tha deri në këto momente numri i të lënduarve është 68. Bëhet fjalë për  dëmtime të lehta, që sipas Xhaçkës, kanë ndodhur kryesisht nga frika.

“Sipas informacioneve zyrtare paraprake dhe dua ta theksoj që këto informacione janë duke u përditësuar minutë pas minuti teksa ekipet skanojnë situatën në terren, deri në momentin që po flasim, raportohet për 68 persona të lënduar, por në të gjitha rastet bëhet fjalë për lëndime të lehta, që kanë ardhur kryesisht si pasojë e situatës së frikës që kanë përjetuar qytetarët në momentin e tërmetit, dhe pasi kanë marrë trajtimin mjekësor, janë larguar sërish për në banesat e tyre. Disa prej të lënduarve janë asistuar nga ekipet mjekësore të ambulancave pranë vendeve të tyre të banimit. Ajo që është më e rëndësishmja, është se nuk ka pasur asnjë humbje jete”.

Ministrja bëri gjithashtu edhe një bilanc të dëme të deritanishme.

“Nga ana tjetër tërmeti ka shkaktuar dëme materiale, sidomos në Durrës dhe Tiranë, por fatmirësisht, ne pjesën dërrmuese behet fjale per krisje të mureve apo dëme të tjera të këtij niveli ndonëse në ditët në vijim serioziteti i këtyre dëmtimeve do të verifikohet nga grupet e ekspertëve në terren. Më konkretisht, në qarkun Tiranë raportimet e deritanishme flasin për: Dëmtime, kryesisht krisje, në 46 banesa e 3 pallate në Farkë, Zonën e Astirit, Dajt, Komunën e Parisit, njësia administrative 2 dhe 6, si dhe në Pezë, Kashar, Zallherr, dhe Kodër Sharrë. Në qarkun Durrës, në Shijak dhe në Durrës qytet raportohen dëme ne 4 pallate dhe 42 banesa, kryesisht te vjetra. Në bashkinë Librazhd janë dëmtuar 7 banesa. Në qarkun Dibër, bashkia Klos, njësia administrative Xibër raportohen 4 banesa të dëmtuara, nga të cilat një e rrëzuar. Në bashkinë Berat ka një banesë të dëmtuar. Në qarkun Lezhë, në qytet ka dëme të lehta në 4 banesa. Në qarkun Fier, janë shënuar 4 banesa të dëmtuara lehtë në Bashkinë Lushnje, dhe njësinë administrative Fier Shegan, por ajo që është e rëndësishme, pak më parë u konfirmua që nuk ka asnjë dëm në puset e naftës. Në bashkinë Korçë nuk raportohen dëme”.

Xhaçka tha gjithashtu se bashkitë kanë ngritur qendra të posaçme strehimit për të gjithë qytetarët, banesat e të cilëve kanë pësuar dëmtime.

“Dua po ashtu t’i informoj qytetarët banesat e të cilëve kanë pësuar dëmtime, që bashkitë janë duke përgatitur qendra të posaçme strehimi për të sistemuar të gjithë ata që mund të kenë nevojë. Në raste nevoje apo për të marrë çdo lloj informacioni tjetër qytetarët mund të kontaktojnë një nga numrat e mëposhtëm: Numrin unik 112, që është për çdo nevojë apo urgjencë. Dhe sipas nevojave specifike: Policia e shtetit 129, Zjarrfikesja 128, Urgjenca 127“.

Xhaçka tha më tej se çdo institucion i shtetit shqiptar, FA, Ministria e Shëndetësisë e cila ka vendosur staf të përforcuar mjekësor nëpër spitale dhe gjendje gatishmërie për çdo emergjencë, prefekturat dhe bashkitë përmes ekipeve të tyre të emergjencave, komisariatet e policisë, janë në krye të detyrës për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve kudo që mund të shfaqet nevoja.

Ministrja e Mbrojtjes konfirmoi se tërmeti i parë, me magnitudë 5.8 u pasua nga disa lëkundje të tjera, megjithatë ajo tha se lajmi i mirë është që është shënuar një trend në rënie, si në magnitudë ashtu edhe në intensitet.

“Tërmeti që ra sot, në orën 16:05 minuta ishte i një magnitude 5.8 sipas shkallës Rihter, me një intensitet prej 7 deri në 8 ballë në epiqendër.  Epiqendra ka qenë në Detin Adriatik, 30 kilometra në veri të Durrësit.  Goditja fillestare është shoqëruar nga disa lëkundje, për fat të mirë me magnitudë dhe intensitet më të ulët. Sipas ekspertëve të Institutit të Gjeoshkencave, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm, është e pritshme që ngjarja kryesore të pasohet nga lëkundje të tjera deri në stabilizimin e pllakave tektonike. Por duke e konsideruar tërmetin e orës 16:05 si ngjarjen sizmike kryesore, është një lajm i mirë që goditjet pasuese kanë shënuar një trend në ulje, qoftë për sa i përket magnitudës ashtu edhe intensitetit”.

LAJMET
Të ngjashme

KPT
KPT
UKT