“Duam që të jeni pjesë e pasaportës së gjelbër”

Ministrja austriake për BE-në dhe Kushtetutën, Karoline Edstadler, u shpreh gjatë një konference që zhvilloi me homologen e saj shqiptare, Olta Xhaçka se Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor e meritojnë që të jenë në BE.

Edstadler shtoi se ka qenë gjithmonë pro mbajtjes së konferencës së parë Ndërqeveritare. Ajo vuri rëndësinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në përballimin e çështjes së emigracionit.

“Ne kemi nevojë për vendet e Ballkanit Perëndimor sidomos për Shqipërinë kur bëhet fjalë për përballimin e emigracionit dhe sidomos këtu Shqipëria është partnere e fortë dhe e besueshme. Dua vetëm të përmend një shifër. Në 2021, 52 mijë emigrantë janë ndaluar këtu në vendet e Ballkanit Perëndimor diçka nënkupton se duhet të punojmë bashkë me ju. Kemi nevojë për ju në kuadër të sigurisë së BE-së dhe duhet t’ju japim perspektivën për hyrjen në BE. Nëse nuk e përshpejtojmë këtë proces, të gjithë humbasim dhe kjo është arsyeja pse avokatojmë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë, për RMV dhe pa harruar vende e tjera. Po bëni shumë për t’i treguar BE se doni që të shihni hapat e mëtejshme. Ju jeni angazhuar sidomos në shtetin e së drejtës dhe Austria po mbështet 5 projekte në këtë drejtim. Shteti i së drejtës dhe institucionet e forta janë shtylla e një demokracie të qëndrueshme dhe BE. Për aq kohë sa vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë pjesë e BE-së, ky projekt nuk është i plotë. Nuk duhet të flasim për procesin e anëtarësimit. Duhet të plotësojmë hendeqet. Ju jeni të rrethuar si rajon nga anëtarë të BE-së dhe meritoni perspektivën atje. Do dua ta mbyll me një temë që e kam përzemër. Nga dita e parë kam avokatuar për nisjen e kësaj konference dhe kjo ka qenë qysh para nisjes së pandemisë në botë dhe Europë. Që në atë kohë kam thënë që duhet të përfshijmë vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e konferencës për të ardhmen sepse flasim për të ardhmen e BE, nuk flasim vetëm për tani, por perspektivën e 25 viteve më pas. Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor duhet të përfshihen në këtë proces dhe ky proces do të nisë të  dielën më 9 Maj, Ditën e Evropës dhe le të jetë kjo ditë një ogur i mirë për Shqipërinë dhe marrëdhëniet e mira mes dy vendeve”, tha Edstadler.

Ministrja Austriake përgëzoi Xhaçkën për zgjedhjet , por vuri theksin tek lufta me Covid. Ajo u shpreh se në Be po diskutohet për pasaportën e gjelbër dhe se Shqipëria e vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përfshihen aty.

“Ne duhet të luftojmë këtë virus dhe së bashku. Kjo është e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo situatë. Ne kemi marrëveshje, rrënjë të forta historike me Shqipërinë. Kemi rrënjë të forta ekonomike dhe kjo është arsyeja pse ne e kemi për zemër dhe kujdesemi për këtë rajon. Duhet që të sigurojmë lëvizshmërinë e njerëzve dhe kjo është arsyeja pse po përpiqemi për pasaportën e gjelbër. Ka pasur unitet në BE për pasaportën e gjelbër dhe jemi të bindur që duhet të përfshijmë edhe vendet e treta për të mundësuar një lëvizshmëri të sigurt sepse është kyçe për ekonominë, turizmin sepse shkojmë drejt një normaliteti më të madh. Gjithashtu është e qartë që duam të përfshijmë Shqipërinë dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në këtë pasaportë të gjelbër”, tha Edstadler./tvklan.al