Ministrja e Arsimit: 10 mijë nxënës më pak në krahasim me vitin e kaluar

Ministrja e Arsimit: 10 mijë nxënës më pak në krahasim me vitin e kaluar

11:36 17/09/2019

Në sistemin arsimor parauniversitar shqiptar, këtë vit pritet të ketë rreth 10 mijë nxënës më pak.

Kjo shifër është dhënë nga ministrja e Arsimit Besa Shahini, e cila në një deklaratë për mediat tha se ulja e numrit të nxënësve është një dukuri që vazhdon prej vitesh.

Shkaqet janë të ndryshme, por Besa Shahini theksoi se arsyeja kryesore ka të bëjë me uljen e lindshmërisë.

“Ne supozojmë që në krahasim me vitin e kaluar do kemi rreth 10 mijë nxënës më pak, e jo 100 mijë nxënës më pak ashtu siç keni raportuar ju. Dua të theksoj se numrin final të nxënësve do ta kemi kur të rakordojmë të gjitha numrat edhe me Ministrinë e Financave, por dhe kur të marrim informacionin dhe të dhënat finale nga zonat rurale të cilat po i marrim ditët e para të shkollës. Dua të theksoj se rënia e numrit të nxënësve në shkolla nuk është një dukuri e viteve të fundit, e as një dukuri ekskluzivisht shqiptare, sepse u diskutua dhe dje dhe sot si një gjë e tillë. Në gjithë 15-vjeçarin e fundit nga viti në vit Shqipëria ka patur rreth 10 mijë deri në 20 mijë nxënës më pak në gjithë sistemin e arsimit parauniversitar. Trendi i rënies së nxënësve në arsimin parauniversitar, në fakt ka filluar në vitin 1992, ka vazhduar me të njëjtin intensitet në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike dhe po vazhdon edhe sot. Trendi i rënies ka të bëjë kryesisht me rënien e natalitetit, që është një çështje që afekton gjithë Evropën Juglindore”.

Nga shifrat e deritanishme, edhe pse ende jo përfundimtare, llogaritet që në sistemin arsimor parauniversitar të jenë rreth 480 mijë nxënës në këtë vit të ri shkollor.

“Ju keni raportuar se në arsimin parauniversitar kemi diku rreth 380 mijë nxënës, por kjo shifër përfshin vetëm nxënësit e arsimit fillor, mesëm-ulët dhe mesëm-lart, pra vetëm nxënësit e klasave 1-12, duke mos përfshirë arsimin profesional dhe duke mos përfshirë parashkollorin. Në total, sivjet regjistrimet në arsimin parauniversitar pa përfshirë arsimin professional janë 455 mijë nxënës. Nëse përfshijmë arsimin profesional, numri total do shkojë 480 mijë nxënës”. /tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT