Shkollat mund të mbyllen dhe mësimi të vijojë vetëm online nëse situata e pandemisë në vendin tonë përkeqësohet. Këtë gjë e konfirmoi këtë të martë në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan ministrja e Arsimit, Evis Kushi.

Kushi tha se ekzistojnë tre skenarë për zhvillimin e mësimit. Aktualisht në shkollat në vend po aplikohen skenari i parë që ka të bëjë me prezencën fizike të nxënësve në klasa dhe skenari i dytë që ka të bëjë me mësimin e kombinuar.

Nëse Komiteti Teknik i Ekspertëve do të sugjerojë mbylljen e shkollave, Kushi tha që Ministria e Arsimit është përgatitur për mësimin online.

Blendi Fevziu: Cilat janë skenarët në të ardhmen. Nëse pandemia mund të përkeqësohet mund të shkojmë në mbyllje totale të shkollave?

Evis Kushi: Patjetër që ekziston dhe ky skenar, ne i kemi përgatitur që në fillim të vitit tre skenarë. I pari skenari me prezencë fizike në shkollë, i dyti skenari i mësimit të kombinuar dhe i treti mësimi online. Këtë vendim nuk e marrim ne. Nëse Komiteti i Ekspertëve do të sugjerojë që situata e epidemisë është përkeqësuar në një nivel që do të na duhet, patjetër që ne do ta marrim këtë vendim, por nuk mund ta them në këto momente nëse do ta marrim pas dy javësh, pas 3 javësh apo nëse do ta marrim apo jo sepse është Komiteti i Ekspertëve që sugjeron hapat që do të marrë qeveria. Është dhe ky skenar dhe janë të publikuar që në fillim të këtij viti shkollor./tvklan.al