Ministrja e Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, që viti i ri shkollor të nisë pa probleme ditën e nesërme.

Në një postim në mediat sociale ajo shkruan se më shumë 65% e mësimdhënësve dhe stafit që punon në shkolla janë të vaksinuar me dy dozat e vaksinës kundër koronavirusit. Ndërsa ata që kanë marrë 1 dozë janë mbi 90%.

“Përkundër progresit në vaksinimin e popullsisë, e në veçanti të punonjësve të arsimit, ky vit shkollor mund të jetë shumë sfidues. Prandaj është e domosdoshme të respektohen masat mbrojtëse të rekomanduara nga profesionistët shëndetësorë.

Kjo është mënyra më e mirë për të vënë nën kontroll pandeminë, duke i kontribuar mbarëvajtjes së procesit mësimor dhe ruajtjes së shëndetit publik”, njofton ministrja Nagavçi.

Në Kosovë dhe në Shqipëri fillon nesër viti i ri shkollor dhe fokusi këtë vit është situata e pandemisë dhe masat kundër Covid-19./tvklan.al