Pas përplasjeve të vazhdueshme mes Francës dhe Gjermanisë për krerët e institucioneve të Bashkimit Europian, liderët e vendeve anëtarë arritën më në fund konsensusin për kandidaturat që do të drejtojnë unionin.

Për herë të parë që prej themelimit të BE, Komisionin Europian pritet ta drejtojë një grua. Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Lejen, me gjasë do të pasojë Jean Claude Junckerin në krye të Komisionit. Jo pak vëmendje tërhoqi vota e Gjermanisë për kandidaturën. Në respekt të vullnetit të aleatëve të SPD-së gjermane, që kundërshtonin kandidaturën e Ursula von der Lejenit, Kancelarja Angela Merkel abstenoi për ministren e saj.

Një tjetër grua, këtë herë franceze, do të ulet në karrigen e kreut e Bankës Qëndrore Europiane. Ajo është shefja aktuale e FMN-së, Christine Lagarde, që do të zëvendësojë Mario Draghi. Italiani ka meritën e madhe që shpëtoi Euron për gjatë krizës së borxhit në eurozonë.

Në përfundim të nominimeve, Presidenti francez Emmanuel Macron u shfaq i gëzuar  për arritjen e kushteve të kërkuara nga vetë ai dhe përshëndeti harmoninë mes Francës dhe Gjermanisë.

“Kriteri i aftësisë, i përvojës, i barazisë dhe i ekuilibrit politik e gjeografik në këtë mënyrë u përmbush nga Këshilli. Kjo marrëveshje është gjithashtu fryt i kohezionit të thellë franko-gjerman. Nuk reshtëm së koordinuari me Kancelaren Merkel”.

Donald Tusk në krye të Këshillit Europian pritet ta zëvendësojë ish-Kryeministri belg Charles Michel.

Ndërsa posti i katërt, ai i shefit të diplomacisë europiane, i mbajtur aktualisht nga Federica Mogherini, pritet t’i shkojë ish-ministrit të Jashtëm spanjoll Joseph Borell.

Të gjitha kandidaturat priten të votohen në Parlamentit Europian.

Tv Klan