Për videot e Kryetares së Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani reagoi edhe Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Në një postim në Twitter, teksa i konsideron të pakomentueshme shfaqjet e gjyqtares, thotë se ka kërkuar verifikimin dhe marrje mase për të nga KLGJ që prej vitit 2019, pas lirimit të një subjekti kriminal.

Të pakomentueshme shfaqjet e gjyqtares së Elbasanit dhe për të ardhur keq që qysh prej Dhjetorit 2019, i kam kërkuar me shkrim KLGJ-së verifikimin dhe marrje mase për të pas lirimit të një subjekti kriminal. Tani uroj që jo vetëm të merret masa e duhur, por edhe të hetohet në mënyrë të thelluar gjendja pasurore e kësaj gjyqtareje. Tipike për një pjesë të atyre që nuk kanë kaluar ende Vetingun dhe vijojnë të gërryejnë drejtësinë nga brenda! #ReformaNukDoNdalet dhe kush e ka turpëruar drejtësinë do të përballet me të deri në fund!“, tha Gjonaj.

Më herët, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë njoftoi nisjen e hetimit disiplinor për Kapedanin, pas publikimit të disa videove në rrjetin e saj social TikTok.

Aktualisht Enkeleda Kapedani po hetohet për shkelje të rëndë të etikës, pasi videot e publikuara ishin pikërisht në ambientet e punës. Por burime pranë ILD-së bëjnë me dije për Klan News se do të kontrollohet e gjithë puna dhe vendimmarrja e gjyqtares.

Vetë gjyqtarja në dy reagime fillimisht tha se nuk kishte profil në TikTok, më pas u shpreh se nuk ndihej krenare për videot dhe se ato ishin publikuar për të dëmtuar imazhin e saj./tvklan.al