“Reforma në drejtësi ka ecur mjaft mirë dhe duhet të zbatohet deri në fund”, kështu është shprehur ministrja e Drejtësisë njëherësh kandidatja e PS për deputete Etilda Gjonaj e ftuar në Milori Live.

Gjonaj tha se ka marrë shumë inkurajime nga qytetarët për rezultetet e Reformës në Drejtësi dhe se kjo reformë duhet të shkojë deri në fund. Por, ka një vakum në sistemin e drejtësisë, që vjen si pasojë e opozitës.

“Periudha tranzitore e zbatimit të reformës në drejtësi ishte më e gjatë për shkak të vonesave të shkaktuara nga opozita në miratimin e ligjeve, kundërshtimin në Gjykatë Kushtetuese etj,”

Duke folur më tej për Gjykatën Kushtetuese, Gjonaj tha se shumë shpejtë do të zgjidhen dhe 3 antarët e saj të fundit dhe gradualisht sistemi do të jetë i plotësuar. Ndërsa, referuar opozitës që Reformës në Drejtësi i drejtohen si “Ramaforma”, Gjonaj u shpreh se qeveria asnjëherë nuk ka ndikuar ose bllokuar sistemin e drejtësisë.

“Ne nuk e kemi bllokuar asnjëherë sistemin e drejtësisë, gjatë kohës së zbatimit i kemi dhënë mbështetje të jashtëzakonshme dhe kemi ruajtur pavarsinë. Asnjë pikë e legjislacionit të Reformës në Drejtësi nuk mund të preket pa miratimin e partnerëve ndërkombëtarë që ndjekin reformën hap pas hapi. Reforma në Drejtësi është luftë e paparfunduar dhe është beteja jonë dhe prioriteti ynë edhe për këtë mandat, si garanci për të ardhmen e qëndrueshme të vendit”

Gjonaj po ashtu siguroi se po merren të gjitha masat që procesi i zgjedhjeve të 25 Prillit të jetë shembullor.

“Kodi zgjedhor parashikon në mënyrë eksplicite kush janë institucionet që administrojnë zgjedhjet dhe ato që garantojnë të mos ketë përfshirje të elementëve kriminalë apo abuzime të paligjshme . Nga ana jonë po merren masat që të krijohet një proces shembullor, që të jetë një proces sipas zbatimit të ligjit e Kushtetutës.”

Klan News