Prokuroria ta ndjekë penalisht për vendimin skandaloz”

Skandaloze dhe një kambanë alarmi për drejtësinë e ka cilësuar Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, lirimin nga burgu të ish-anëtarit të bandës së Durrësit, Endrit Dokles, i dënuar me burg përjetë për vrasje. Për këtë arsye ajo ka kërkuar pezullimin e gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha, që dha vendimin dhe ndjekje penale për të. 

“Në datën 15 Janari jam drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor për pezullimin e menjëhershëm të gjyqtares nga detyra, si dhe marrjen e masave për shkarkimin e saj nga detyra si gjyqtar. I kam kërkuar Institucionit të Prokurorisë, ushtrimin e ndjekjes penale ndaj gjyqtares, jo vetëm për ndëshkimin e vendimmarrjeve abuzive, por edhe për parandalimin e fenomeneve të tilla me pasoja të rënda në besimin e qytetarëve tek drejtësia”.

Për këtë çështje, Ministria e Drejtësisë ka shkarkuar nga detyra Drejtorin e Shërbimit të Provës në Krujë. Ndaj tij është depozituar kallëzim penal për shpërdorim detyre pranë Prokurorisë së këtij rrethi.

“Drejtoria e Shërbimit të Provës Krujë, e cila ka depozituar raportin e saj në këtë gjykim për të dënuarin Dokle, duke sugjeruar rehabilitimin me dënim alternativ, ka vepruar në shkelje të rënda të dispozitave ligjore dhe vlerësimit që ky shërbim ka kryer për këtë rast.”

Kjo nuk është hera e parë që Ministria e Drejtësisë ka kërkuar hetim disiplinor ndaj gjyqtares Enkelejda Hoxha. Gjonaj solli në vëmendje lirimin e Genc Tafilit në Nëntor të 2017, edhe ai i dënuar më burgim të përjetshëm. 2 muaj pas këtij vendimi, Ministria i ishte drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por sipas Gjonajt u ndesh me heshtje dhe papërgjegjshmëri të këtij institucioni.

Tv Klan