Për herë të parë, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka përfshirë shumë aktorë, si botues, autorë, ekspertë, mësues, etj. në përzgjedhjen e titujve të librave për bibliotekat e shkollave.

MAS ka bërë publike listën paraprake të titujve, për ta bërë këtë proces sa më transparent dhe për të zgjedhur librat më të mirë e cilësorë për nxënësit. Tashmë që lista paraprake është e pasqyruar në faqen e ministrisë, priten sugjerimet deri në datën 5 Shtator 2023, si dhe kërkon që çdo botues të dërgojë zyrtarisht të drejtën e autorit për titujt, dhe më pas do të kalohet në fazën e miratimit.

POSTIMI I PLOTË I MINISTRES SË ARSIMIT DHE SPORTIT, EVIS KUSHI:

Bibliotekat e shkollave kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e procesit mësimor, por edhe për nxitjen tek nxënësit të dëshirës për lexim.

Për këtë, MAS në bashkëpunim me rrjetet profesionale të mësuesve dhe me shoqatat e botuesve, prej disa muajsh po punon për hartimin e listës me titujt e librave që do të rekomandohen për t’u përfshirë në fondin e bibliotekave të shkollave.

Ky proces ka për qëllim jo vetëm që nxënësit dhe mësuesit të kenë në shkollat e tyre titujt që u nevojiten për realizimin cilësor të programit mësimor, por edhe libra që janë në përshtatje me grupmoshat e nxënësve dhe me përmbajtje formuese e edukative.

MAS mirëpret deri në datën 5 shtator 2023 çdo sugjerim për listën paraprake, si dhe kërkon që çdo botues të dërgojë zyrtarisht të drejtën e autorit për titujt që ka në linkun: https://arsimi.gov.al/lista-paraprake-e-titujve-rekomandues-per-bibliotekat-e-institucioneve-arsimore-te-arsimit-parauniversitar-2023/.